Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, është takuar me presidentin e Senatit të Rumanisë, Mircea Abrudean, ndërkohë në fokus ishin diskutimet mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ministri Hoxha po zhvillon një vizitë në Bukuresht në kuadër të Ministerialit të Nismës së Evropës Qendrore.
"Rikonfirmuam miqësinë e hershme dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Rumanisë, si dhe angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Ndamë të njëjtin vlerësim për rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe diplomacisë parlamentare në afrimin e mëtejshëm të vendeve dhe institucioneve tona", është shprehur Hoxha në një reagim në rrjetet sociale.
Hoxha theksoi se shkëmbyen pikëpamje mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, "mbështetjen e palëkundur të Rumanisë dhe mësimet e çmuara që na ofron përvoja e saj evropiane".
"Diskutuam gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e së ardhmes sonë të përbashkët evropiane", është shprehur Hoxha.























