Të paktën 12 persona janë vrarë dhe 27 të tjerë janë plagosur në një shpërthim jashtë kompleksit gjyqësor në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, ka konfirmuar ministri i Brendshëm pakistanez Mohsin Naqvi.
Shpërthimi ndodhi në zonën e parkimit të Kompleksit Gjyqësor të martën.
“Sulmuesi vetëvrasës shënjestroi një automjet policie pasi nuk mundi të hynte në kompleks”, u tha Naqvi gazetarëve në vendngjarje.
Ai shtoi se po bëhen përpjekje për identifikimin e autorit të sulmit.
Trupat e 12 viktimave, shumica civilë, u dërguan në një spital lokal, ndërsa të tjerët u transferuan për trajtim urgjent.
Mediat lokale publikuan pamje tronditëse nga vendi i ngjarjes, me njerëz të përgjakur të shtrirë pranë një furgoni policie.
Grupi terrorist taleban pakistanez, Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP), mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë në një deklaratë se kishin shënjestruar zyrtarët gjyqësorë.
Policia dhe ekipet e emergjencës rrethuan zonën dhe nisën hetimet.
Presidenti dhe kryeministri dënojnë sulmin
Presidenti Asif Zardari e dënoi sulmin, duke thënë se “terroristët e sponsorizuar nga jashtë” që veprojnë në Pakistan duhet të eliminohen.
Kryeministri Shehbaz Sharif gjithashtu e dënoi sulmin dhe e akuzoi Indinë për “përhapjen e terrorizmit në rajon përmes përfaqësuesve të saj”.
“Ka ardhur koha që bota të dënojë këto konspiracione të ndyra të Indisë”, tha Sharif, duke pohuar se sulmet “u kryen nga territori afgan me mbështetje indiane”.
Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Nju Delhi apo Kabuli ndaj deklaratës së Sharifit.
Megjithatë, India i ka mohuar akuzat e tilla në të kaluarën.
Sulmi terrorist në Islamabad ndodh vetëm një ditë pasi 13 persona u vranë në Nju Delhi, kryeqytetin e Indisë fqinje, pasi shpërtheu një makinë.
Pakistani dhe India akuzojnë njëra-tjetrën për mbështetje të grupeve terroriste që qëndrojnë pas sulmeve vdekjeprurëse.
Türkiye dënoi ashpër sulmin terrorist
“Urojmë mëshirën e Allahut për ata që humbën jetën dhe shërim të shpejtë për të plagosurit në këtë sulm të urryer”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke, duke shtuar se Ankaraja qëndron në krah të Pakistanit në luftën kundër terrorizmit.























