Bashkimi Evropian ka miratuar të mërkurën një paketë kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, së bashku me raundin e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, pasi Hungaria hoqi veton ndaj të dyja masave.
Vendimet u mbështetën nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare të bllokut dhe pritet të konfirmohen zyrtarisht përmes një procedure me shkrim të enjten, raportoi EFE-ja, duke cituar burime evropiane.
Hungaria, e udhëhequr nga kryeministri në largim Viktor Orban, kishte bllokuar më parë ndihmën financiare pavarësisht një marrëveshjeje të arritur dhjetorin e kaluar.
Kundërshtimi i Budapestit erdhi pasi Ukraina deklaroi se dëmet e shkaktuara nga një sulm rus kishin ndërprerë tranzitin e naftës përmes një tubacioni kyç, duke nxitur akuza se Kievi po e pengonte në mënyrë efektive rrjedhën e naftës ruse.











