Dy palestinezë u plagosën të dielën derisa okupuesit izraelitë kryenin sulme në disa fshatra në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa forcat izraelite kryen bastisje të veçanta në Ramallah dhe Nablus, njoftuan mediat palestineze.
Radioja zyrtare e "Zërit të Palestinës" tha se dy palestinezë pësuan lëndime pasi u sulmuan nga okupuesit izraelitë në periferi të fshatit Beit Ula, në veriperëndim të Hebronit. Në një sulm tjetër, okupuesit shënjestruan një shtëpi në qytetin Beita, në jug të Nablusit, duke hedhur grumbuj mbeturinash jashtë pronës, tha transmetuesi. Nuk raportohet për të lënduar.
Stacioni radiofonik tha se forcat izraelite të shoqëruara nga okupuesit bastisën periferinë e lagjes Al-Tira në Ramallah. Në anën tjetër, forcat izraelite të mbështetura nga një buldozer ushtarak bastisën qytetin Salem, në lindje të Nablusit, ku sollën tre të burgosur palestinezë nga familja Ishtayeh në shtëpinë e tyre, sipas një korrespondenti të Anadolu-t.
Një nga të burgosurit u detyrua të gërmonte në oborrin e një shtëpie fqinje përpara se forcat ta merrnin në shtëpinë e babait të tij. Para se të tërhiqej, ushtria arrestoi një tjetër palestinez të identifikuar si Yamen Atwi.
Ndërkohë, agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa tha se pushtuesit hynë në fshatin Abu Njeim, në juglindje të Betlehemit, ku u mblodhën në disa lagje dhe përgjatë rrugës kryesore, duke shkaktuar frikë tek banorët për sulme të mundshme në shtëpitë dhe pronat e tyre.
Sipas Wafa-s, pushtuesit sulmuan shtëpitë dhe automjetet në fshat dhe hynë në zonën Gharaba si dhe në periferi të vendbanimeve Sinjil, Kafr Malik, Deir Jarir, Taybeh, Yabrud dhe Beitillu pranë Ramallahut. Bregu Perëndimor i pushtuar ka dëshmuar përshkallëzim të sulmeve ushtarake izraelite në qytetet, qytezat dhe kampet e refugjatëve palestinezë që përfshijnë vrasje, arrestime, prishje shtëpish dhe evakuime të detyruara.
Që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza në tetor 2023, sulmet nga ushtria izraelite dhe okupuesitnë të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar janë intensifikuar, duke vrarë më shumë se 1.182 palestinezë, duke plagosur rreth 13 mijë pesona dhe duke çuar në arrestimin e afro 24 mijë palestinezëve të tjerë, sipas shifrave zyrtare.

















