Ushtria Siriane ka marrë nën kontroll bazën ushtarake Al-Shaddadi në periferi të qytetit Hasakah në verilindje të Sirisë, pas koordinimit me ShBA-në, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Ushtria mori kontrollin e bazës pas koordinimit me palën amerikane, tha agjencia e lajmeve SANA, duke cituar Drejtorinë për Media dhe Komunikim të ministrisë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Baza konsiderohet një nga lokacionet më strategjike në rajonin e Jaziras siriane, për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike që lidh prefekturat Hasakah dhe Deir ez-Zor.
Baza ishte nën kontrollin e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga ShBA-ja kundër grupit terrorist DEASh që nga viti 2016 dhe përdorej si qendër kryesore për menaxhimin e operacioneve dhe sigurimin e fushave të naftës.
Verilindja e Sirisë, zakonisht e referuar si rajoni i Jaziras, përfshin territorin e vendit në lindje dhe veri të lumit Eufrat. Zona është ndër rajonet më të pasura me burime në Siri, duke përfshirë shumicën e rezervave të naftës dhe gazit, si dhe burime të tjera nëntokësore.
Të enjten, ministri sirian i Mbrojtjes, Murhaf Abu Qasra, zhvilloi bisedime me komandantin e koalicionit të udhëhequr nga ShBA-ja kundër DAESh-it për të diskutuar mekanizmat e dorëzimit dhe sigurinë e bazës al-Tanf, e vendosur në kryqëzimin e kufijve të Irakut dhe Jordanisë.
Bisedimet vijnë pas marrjes nën kontroll nga forcat qeveritare siriane të bazës al-Tanf, pas tërheqjes së trupave amerikane pas pothuajse një dekade.
Thuhet se forcat amerikane janë tërhequr në një bazë të njohur si Tower 22, e vendosur pranë zonës demilitarizuar në kufirin midis Jordanisë dhe Sirisë, dhe që ndodhet 22 kilometra nga al-Tanf.















