Trump u jep “ultimatum” aleatëve evropianë për Ngushticës e Hormuzit
Kërkesa erdhi gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë midis Trumpit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump u ka thënë aleatëve evropianë që në një kohë prej disa ditësh të angazhojnë anije luftarake ose asete të tjera ushtarake për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, raportoi sot "Der Spiegel".
Kërkesa erdhi gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë midis Trumpit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Rutte më pas u tha kryeqyteteve evropiane se Uashingtoni po kërkon "angazhime konkrete" në ditët në vijim, raportoi revista duke cituar diplomatë evropianë që folën në kushte anonimiteti.
Diplomatët e karakterizuan kërkesën si një "ultimatum", duke thënë se administrata e Trumpit e bëri të qartë se "premtimet politike" të paqarta nga aleatët nuk janë më të mjaftueshme.
Mbetet e paqartë nëse ShBA-ja po shtyn për një mision formal të NATO-s, apo thjesht po i koordinon vendosjet kombëtare.
Aleatët kryesorë evropianë, përfshirë Gjermaninë, deri më tani kanë ngurruar të dërgojnë forca detare për të siguruar lundrim të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke thënë se ShBA-ja dhe Izraeli nuk i konsultuan ata para se të nisnin luftën kundër Iranit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz më parë ka kritikuar ShBA-në dhe Izraelin për mungesën e një strategjie të qartë për t'i dhënë fund konfliktit.
Ai tha se Gjermania mund të ndihmonte në sigurimin e lundrimit në ngushticë vetëm pas një armëpushimi dhe vetëm me një mandat ndërkombëtar dhe miratim nga parlamenti gjerman.
Në një postim në Truth Social pas takimit të tij të mërkurën me shefin e NATO-s, Rutte, presidenti Trump vazhdoi kritikat e tij ndaj aleatëve evropianë dhe rolit të tyre gjatë konfliktit. "NATO-ja nuk ishte aty kur kishim nevojë për të dhe nuk do të jetë aty nëse do të kemi nevojë përsëri për të", shkroi ai.
Më parë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se Trumpi beson se NATO u “testua dhe dështoi" gjatë luftës së Iranit. "Është mjaft e trishtueshme që NATO-ja i ktheu shpinën popullit amerikan gjatë gjashtë javëve të fundit, kur është populli amerikan ai që ka financuar mbrojtjen e tij", tha ajo.