Franca përjashton mundësinë e bashkimit me ndonjë "ndërhyrje të dhunshme" në Ngushticën e Hormuzit
"Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë përdorim force për ta hapur ngushticën në kontekstin e luftës dhe bombardimeve të vazhdueshme", u tha Macron gazetarëve gjatë një konference për shtyp.
Ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Jose Manuel Albares, i ka bërë thirrje Izraelit t’i ndalë sulmet në Liban, duke theksuar se situata në vend mbetet kritike.
“Situata në Liban është kritike. Mbi 1 milion të zhvendosur, mbi 1.000 të vdekur dhe mijëra të plagosur. Ofensiva e Izraelit në Liban duhet të ndalet tani”, shkroi Albares në X.
Ai theksoi se shkatërrimi i urave mbi lumin Litani “përbën izolim të papranueshëm të një pjese të territorit të vendit”.
“Ne e dënojmë shkatërrimin e shtëpive në Bejrut dhe në pjesë të tjera të Libanit nga Izraeli, që është në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, si dhe lëshimin e raketave nga Hezbollahu”, tha Albares.
Ai gjithashtu theksoi se të prekurit duhet të kenë qasje në shërbime mjekësore.
“Ne mbështesim qeverinë libaneze dhe integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Spanja qëndron në krah të saj dhe të popullsisë civile”, shtoi ai.
Ushtria izraelite ka përshkallëzuar sulmet ajrore në të gjithë Libanin që nga fillimi i marsit, në mes të përplasjeve ndërkufitare me Hezbollahun, pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi që ka qenë në fuqi që nga nëntori i vitit 2024.
Sipas autoriteteve libaneze, të paktën 1.000 persona janë vrarë dhe 2.584 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në gjithë Libanin që nga 2 marsi.
Përshkallëzimi aktual pasoi një ofensivë të përbashkët ShBA-Izrael ndaj Iranit, e cila ka shkaktuar rreth 1.300 viktima që nga 28 shkurti.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë në shënjestër Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.