Türkiye dënon sulmin ndaj një shkolle të minoritetit turk në Greqi

Ankaraja u bën thirrje autoriteteve greke të identifikojnë autorët pas vandalizimit të një shkolle fillore të mbyllur në Trakinë Perëndimore.

By
Türkiye dënon sulmin ndaj një shkolle të minoritetit turk në Greqi / AA

Türkiye dënoi të premten një sulm të kryer nga persona të paidentifikuar ndaj një shkolle fillore të minoritetit turk në fshatin Karaxhoglan (Karacaoglan), në rajonin Rodopi të Trakisë Perëndimore në Greqi.

“Ne e dënojmë sulmin e kryer nga persona të paidentifikuar ndaj shkollës fillore që i përket Minoritetit Turk të Trakisë Perëndimore në fshatin Karaxhoglan, në rajonin e Trakisë Perëndimore, e cila u mbyll nga autoritetet greke në vitin shkollor 2021–2022,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Türkiyes, Öncu Keçeli, në rrjetin social X.

Duke theksuar se përgjegjësia duhet të përcaktohet pavarësisht se kush e ka kryer sulmin, Keçeli tha se pritet që Greqia ta sqarojë incidentin, të identifikojë menjëherë autorët dhe të ndërmarrë masat e nevojshme.

“Ne ndajmë dhimbjen e bashkëkombësve tanë që jetojnë në Karaxhoglan dhe theksojmë se, si Türkiye, do të vazhdojmë të ndjekim nga afër dhe të mbrojmë të drejtat dhe interesat e Minoritetit Turk të Trakisë Perëndimore, të garantuara me Traktatin e Paqes së Lozanës,” shtoi ai.

Sulmi në fshatin Karaxhoglan doli në pah më 4 janar, kur banorët lokalë vunë re dëmet, pas çka policia nisi një hetim.

Edhe Bordi Këshillëdhënës i Minoritetit Turk të Trakisë Perëndimore e dënoi sulmin, duke rikujtuar se një incident i ngjashëm kishte ndodhur edhe më parë.