Udhëheqës dhe zyrtarë të lartë nga Ballkani Perëndimor do të marrin pjesë në Forumin Diplomatik të Antalies 2026 (FDA), një ngjarje ndërkombëtare e madhe që do të mbahet mes datave 17-19 prill në Türkiye.
Forumi, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Türkiyes nën patronazhin e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, do të mbledhë më shumë se 500 zyrtarë të lartë nga mbi 150 vende, nën temën: “Hartimi i së nesërmes, menaxhimi i pasigurive”.
Shqipërinë do ta përfaqësojë kryediplomati Ferit Hoxha. Pjesëmarrës në këtë forum do të jetë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Bosnjë-Hercegovina do të përfaqësohet nga anëtarët e Presidencës: Denis Beqiroviq, Zheljka Cvijanoviq dhe Zheljko Komshiq; ministri i Punëve të Jashtme, Elmedin Konakoviq dhe përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt.
Kroacinë do ta përfaqësojë ish-presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviq, ndërsa delegacioni i Malit të Zi përbëhet nga ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq dhe kreu i Bashkësisë Islame, Rifat Fejziq.
Nga Serbia pritet të marrin pjesë kryeministri Xhuro Macut dhe ministri i Punëve të Jashtme, Marko Xhuriq.
Rumania do të përfaqësohet nga ministrja e Punëve të Jashtme, Oana-Silvia Țoiu.
Nga Maqedonia e Veriut do të marrin pjesë Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Forumi, i nisur në vitin 2021, është bërë një platformë kyçe për dialog mbi sfidat globale, duke mbledhur krerë shtetesh, ministra, akademikë dhe liderë biznesi.
Edicioni i këtij viti do të përfshijë mbi 40 sesione që u kushtohen çështjeve gjeopolitike, ekonomike, mjedisore dhe teknologjike, me fokus të veçantë mbi pasiguritë globale në rritje dhe zhvillimet rajonale.
Organizatorët presin mbi 5.000 pjesëmarrës dhe rreth 1.100 përfaqësues të mediave, ndërsa sesionet do të transmetohen drejtpërdrejt.





















