Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për masa të përkohshme të produkteve themelore në raste të destabilizimit ne treg, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimi i paarsyeshëm i çmimeve të produkteve themelore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se iniciativa për ta miratuar ligjin e njohur si “ligji për çmimet tavan” nuk është për ta penguar zhvillimin e dikujt, por për të evituar keqpërdorimet në emër të krizave të vazhdueshme dhe rritjes artificiale të çmimeve.
Ai theksoi se projektligjin e njëjtë patën dështuar ta miratojnë në Kuvend për shkak se partitë opozitare e dërguan atë në Gjykatën Kushtetuese dhe tani ata e risjellin këtë projektligj me disa ndryshime.
“Dhe ja ku jemi, shumë muaj pas, me kriza të reja, me sfond global që tash këto kriza prekin edhe xhepin e qytetarëve tanë. Andaj po e risjellim për miratim këtë projektligj që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët tanë e kanë përjetuar, rritje e papritur e çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave efektivë për mbrojtje e ruajtje”, tha Kurti.
Kurti tha se me këtë ligj synimi është të mbrohet liria e tregut nga abuzimi.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila e cila e prezantoi para kabinetit qeveritar projektligjin, tha se në propozimin e dytë të këtij projektligji, janë marrë në konsideratë rekomandimet nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e pati shpallur antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, i cili ishte dërguar në gjykatë nga deputetë të opozitës. Qytetarët në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësi për fryrjen e paarsyeshme të produkteve bazë duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit në këtë situatë.























