Hungaria pezullon dërgesat e naftës në Ukrainë
"Nuk mund të pritet që Hungaria të garantojë sigurinë energjetike të një vendi tjetër ndërsa furnizimi i saj është në rrezik", tha ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.
Hungaria njoftoi se ka vendosur t’i pezullojë dërgesat e naftës (dizel) në Ukrainë.
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë, Peter Szijjarto, e bëri njoftimin nëpërmjet llogarisë në X.
Szijjarto deklaroi se sot kanë vendosur t’i pezullojnë dërgesat e karburantit dizel në Ukrainë.
Ai tha se dërgesat e karburantit dizel nuk do të rifillojnë derisa të rifillojnë dërgesat e naftës në Hungari nëpërmjet tubacionit Druzhba, i cili transporton naftën ruse në Evropë.
"(Presidenti ukrainas Volodymyr) Zelenskyy, duke vendosur të mos rifillojë dërgesat e naftës për arsye politike, po rrezikon qëllimisht furnizimin me energji të Hungarisë, i cili luan rol vendimtar në sigurinë energjetike të Ukrainës", shtoi Szijjarto.
Szijjarto vuri në dukje se një pjesë e madhe e importeve të gazit, energjisë elektrike dhe karburantit dizel të Ukrainës vijnë përmes ose nga Hungaria.
"Nuk mund të pritet që Hungaria ta garantojë sigurinë energjetike të një vendi tjetër ndërsa furnizimi i saj është në rrezik", tha ai duke theksuar se bashkëpunimi energjetik duhet të jetë reciprok dhe i bazuar në "respekt, jo presion".