Ushtria jemenase ka kryer sot sulme ajrore ndaj raketahedhësve dhe depove të armëve të rebelëve Huthi në provincën Taiz, në jugperëndim të vendit, njoftoi televizioni shtetëror.
Kanali Satelitor i Jemenit raportoi se sulmet goditën disa pozicione të Huthive, përfshirë lançues raketash, radarë, sisteme ushtarake të komunikimit dhe depo armësh në pjesët perëndimore, jugore dhe lindore të Taizit.
Huthit nuk e kanë komentuar menjëherë raportimin.
Në Taiz, përshkallëzimi i luftimeve është rritur që nga korriku, në kuadër të përleshjeve mes forcave qeveritare, të mbështetura nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, dhe luftëtarëve Huthi.
Jemeni është përfshirë nga konflikti që prej vitit 2014, kur Huthit e morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe të disa provincave të tjera, duke nxitur ndërhyrjen e një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite në mars të vitit 2015, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.
Huthit e kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit verior dhe perëndimor, ndërsa forcat qeveritare dhe aleatët e tyre e mbajnë nën kontroll Adenin dhe pjesë të mëdha të provincave jugore dhe lindore të vendit.



















