Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHSH), Vlora Hyseni, është pezulluar nga detyra, ndërkohë ndaj saj është vendosur edhe masa e sigurisë "arrest në shtëpi".
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë (SPAK) ka konfirmuar në një njoftim zyrtar se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar ka vendosur ndaj Hysenit më datë 21 shtator masat "arrest në shtëpi" dhe "pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik".
Sipas SPAK-ut, Hyseni është e dyshuar për veprat penale "Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete" dhe "Përkrahje e autorit të krimit".
Vlora Hyseni është emëruar në krye të SHISH-it në prill të vitit 2023. Ajo ka mbajtur post drejtues edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Gjithashtu, prokuroria ka njoftuar se në kuadër të hetimeve të saj është vendosur masa "arrest në burg" për një përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore të Shqipërisë dhe ndaj një punonjësi të një shoqërie private.
Në njoftim gjithashtu thuhet se gjykata ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera në lidhje me hetimet apo çështjet e përfshira për personat në fjalë, ndërkohë në media është raportuar se hetimet lidhen me implikimet për personat e tjerë të hetuar më parë për dosjen e njohur si "Çështja e Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit".























