| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Kabineti izraelit mblidhet të dielën pas shqetësimeve të opozitës për sulm ndaj Iranit
Opozita ka shprehur shqetësime se Netanyahu mund të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për të nxitur krijimin e një qeverie uniteti, e cila do ta përfshijë edhe atë vetë.
Kabineti izraelit mblidhet të dielën pas shqetësimeve të opozitës për sulm ndaj Iranit
Kabineti izraelit mblidhet të dielën pas shqetësimeve të opozitës për sulm ndaj Iranit / َAA

Kabineti i sigurisë i Izraelit pritet të mblidhet të dielën, pas shqetësimeve të opozitës se kryeministri Benjamin Netanyahu mund të ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj Iranit për të qëndruar në pushtet.

Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi sot se kabineti i sigurisë pritet të mblidhet për herë të parë që nga 5 tetori. Mbledhja vjen pas raportimeve të së mërkurës në mbrëmje se kabineti i ka udhëzuar forcat ushtarake të shtojnë përgatitjet për një sulm të mundshëm ndaj Iranit dhe një përballje të mundshme ushtarake, raportoi transmetuesi.

Sipas KAN-it, udhëzimi i raportuar erdhi pasi Gadi Eisenkot, deputeti të cilit i është besuar formimi i qeverisë së ardhshme të Izraelit, i kërkoi Netanyahut përmes një letre të përmbahet nga operacionet e panevojshme ushtarake deri në formimin e një qeverie të re.

“Ju aktualisht drejtoni një qeveri në detyrë që nuk gëzon më besimin e Knessetit; vetëm 46 deputetë ende mbështesin vazhdimin tuaj si kryeministër”, i tha Eisenkot Netanyahut.

Zyra e Netanyahut reagoi me një deklaratë, në të cilën e cilësoi letrën e Eisenkotit si “veprim të papërgjegjshëm dhe përpjekje të hapur për të politizuar çështjet e sigurisë”.

Në kundërpërgjigje, Eisenkot vuri në pikëpyetje arsyet për refuzimin e kërkesës së tij për një informim mbi operacionet ushtarake, siç ishte praktikë e zakonshme si dhe përpjekjet e qeverisë për të shtyrë deri javën e ardhshme një mbledhje të Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Knessetit.

“Nuk do të lejoj një vakum në mbikëqyrjen e një qeverie që ka humbur besimin e Knessetit”, tha ai.

Në qarqet e opozitës në Izrael ekzistojnë shqetësime se Netanyahu mund të ndërmarrë sulm ushtarak ndaj Iranit për ta vendosur vendin në gjendje të jashtëzakonshme, gjë që potencialisht mund t’i hapë rrugë formimit të një qeverie të unitetit kombëtar ku do të përfshiheshin si Netanyahu, ashtu edhe Eisenkot. Ky i fundit e kundërshton një marrëveshje të tillë.

Shqetësimet janë shtuar pas deklaratave të Netanyahut për gazetarët në Knesset të mërkurën, kur ai tha se “formimi i një qeverie të unitetit kombëtar është i mundur, sepse populli di të bashkohet në kohë vështirësish”.

Netanyahu drejton një qeveri në detyrë dhe ligji izraelit nuk parashikon kufizime të veçanta për ndërmarrjen e sulmeve ushtarake nga një qeveri e tillë. Megjithatë, çdo veprim i tillë do të kërkonte miratimin e kabinetit të sigurisë, i cili drejtohet nga Netanyahu dhe përfshin ministra të qeverisë së tij.

Që nga qershori i vitit 2025, Izraeli ka zhvilluar dy luftëra kundër Iranit, i cili është kundërpërgjigjur duke sulmuar Izraelin me raketa balistike dhe dronë.

Uashingtoni dhe Tel-Avivi akuzojnë Teheranin se po ndjek programe bërthamore dhe raketore që përbëjnë kërcënim për Izraelin dhe vendet e rajonit aleate me ShBA-në. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe se nuk synon të zhvillojë armë bërthamore apo të kërcënojë vende të tjera.