Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pasi në Kosovë brenda pak ditëve u gjet një tjetër lokacion i dyshuar për varrezë masive, në Jabukë, pranë Zubin Potokut.
Konjufca nëpërmjet një reagimi në rrjetin social X, tha se më shumë se 27 vjet pas luftës, Kosova ende po zbulon viktima të vrara dhe të fshehura nga aparati shtetëror i Serbisë.
Ai tha se Serbia e arrestoi personin që dha informacionin që ndihmoi në zbulimin e varrezës masive në Kalludër javën e kaluar, duke e trajtuar bashkëpunimin e tij si "spiunazh".
"Një veprim i tillë rrezikon t'i frikësojë dëshmitarët e tjerë dhe t'i pengojë më tej përpjekjet për të zbardhur fatin e të zhdukurve. Serbia nuk mund të pretendojë në mënyrë të besueshme se është e përkushtuar ndaj pajtimit, ndërkohë që ndëshkon ata që i ndihmojnë në zbulimin e së vërtetës për krimet e luftës", shkroi Konjufca.
Ai tha se këto zhvillime po ndodhin ndërkohë që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, "qëndron para ushtrisë së tij dhe përsërit pretendimet ndaj Kosovës dhe një ministër i qeverisë serbe flet hapur për dëshirën për të kryer spastrim etnik në Kosovë".
"Deklarata të tilla pasqyrojnë ideologjinë e regjimit të Millosheviqit që çoi në gjenocid në Kosovë, pasojat e të cilit ende po dalin në dritë nga toka jonë. Sot, 1.565 persona mbeten të zhdukur me forcë, mes tyre 109 fëmijë. Serbia duhet të hapë arkivat e saj, të zbulojë vendndodhjet e varrezave të fshehura dhe të përballet me përgjegjësinë e saj për krimet e kryera", shkroi Konjufca.
Në fund ai tha se Kosova do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën, drejtësinë dhe llogaridhënien.
Gjatë të dielës Policia e Kosovës dhe Prokuroria njoftuan se është zbuluar një lokacion i ri, në Jabukë të Zubin Potokut, i dyshuar për varrezë masive, vetëm pak ditë pasi autoritetet kosovare gjetën në Kalludër të Zubin Potokut një varr masiv ku po dyshohet se në atë zonë janë trupat e 23 personave, të njohur si "grupi i intelektualëve" nga rajoni i Mitrovicës, të cilët ishin rrëmbyer më 19 prill 1999 dhe që nga atërherë fati i tyre mbetet i pazbardhur.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi se gërmimet në Kalludër mund të zgjasin me muaj, për shkak të terrenit të vështirë dhe shpërndarjes së mundshme të eshtrave. Lidhur me këtë rast autoritetet kosovare arrestuan javën e kaluar tre persona të dyshuar në Zubin Potok për krime lufte.



















