Türkiye do të vazhdojë të mbështesë dialogun dhe bashkëpunimin mes rajonit perëndimor dhe atij lindor të Libisë dhe do të punojë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit, tha të mërkurën ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.
Në një postim në platformën turke NSosyal, Fidan ndau detaje nga vizita e tij e fundit në Libi, duke falënderuar autoritetet libiane për mikpritjen e ngrohtë.
Fidan tha se zhvilloi takime “gjithëpërfshirëse dhe produktive” në kryeqytetin Tripoli dhe në qytetin lindor Bengazi, duke e përshkruar vizitën si një manifestim konkret të politikës së Türkiyes për “Një Libi”, e cila nuk bën dallim mes rajonit perëndimor, lindor dhe atij jugor të vendit.
“Türkiye nuk e sheh paqen dhe stabilitetin e Libisë si të ndara nga paqja dhe stabiliteti ynë”, tha Fidan.
“Është thelbësore që vëllezërit dhe motrat tona libiane ta ndërtojnë të ardhmen e tyre lirisht, në mënyrë të sigurt dhe të begatë. Në përputhje me vizionin e paraqitur nga presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan, ne do të vazhdojmë të mbështesim forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes perëndimit dhe lindjes së Libisë dhe të kontribuojmë në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Libisë”, shtoi ai.
Bashkëpunimi dhe procesi politik
Gjatë vizitës së tij, Fidan u takua me kryeministrin libian Abd al-Hamid Dbeibeh, me të cilin diskutoi marrëdhëniet dypalëshe, procesin politik në Libi, zhvillimet rajonale dhe çështjet e sigurisë, tha ai.
Ai zhvilloi gjithashtu bisedime me Mohamed al-Menfin, kryetar i Këshillit Presidencial të Libisë, dhe Mohamed al-Miftah Takalan, kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit.
Fidan tha se diskutoi bashkëpunimin dypalësh dhe zhvillimet aktuale edhe me Ibrahim Dbeibeh, këshilltarin e kryeministrit për sigurinë kombëtare; ministrin në detyrë të Mbrojtjes Abdulsalam Zubin; ministrin e Brendshëm Emad al-Trabelsin; shefin në detyrë të Shtabit të Përgjithshëm Salah al-Namroushin dhe kreun e inteligjencës ushtarake Mahmoud Hamzan.
Bisedimet në Bengazi
Në Bengazi, Fidan u takua me Khalifa Haftarin, komandantin e forcave në Libinë lindore; zëvendësin e tij, gjeneralin Saddam Haftar; kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Aguila Saleh; dhe Belkacem Haftar, kreun e Fondit të Libisë për Zhvillim dhe Rindërtim.
Takimet u përqendruan në agjendën politike dhe të sigurisë së Libisë, si dhe në mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, tha Fidan.
Ai theksoi se Türkiye e sheh bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si një nga elementet strategjike që mund të kontribuojë konkretisht në stabilitetin e Libisë dhe sigurinë rajonale.
Në kuadër të vizitës së tij, Fidan vizitoi gjithashtu Komandën e Grupit të Forcave të Armatosura Turke në Libi në Tripoli.





















