Delegacionet nga Izraeli dhe Libani u takuan të martën në Departamentin amerikan të Shtetit për raundin e katërt të negociatave të drejtpërdrejta mes dy vendeve, sipas një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit.
“Përparimi vazhdon në drejtimet politike dhe të sigurisë, teksa shkëputemi nga dështimet e 20 viteve të fundit dhe ecim përpara drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që synon rivendosjen e sovranitetit të Libanit dhe garantimin e sigurisë së Izraelit”, tha Tommy Pigott në X.
Pigott ritheksoi angazhimin e ShBA-së për të shërbyer si ndërmjetëse në “këto negociata historike”.
Një raund tjetër është planifikuar për të mërkurën, tha ai.
Izraeli ka vazhduar operacionet ushtarake në Liban, në shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, i cili hyri në fuqi më 17 prill dhe më pas u zgjat deri në fillim të korrikut.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se Izraeli dhe grupi libanez Hezbollah kishin arritur një mirëkuptim për të ndalur sulmet kundër njëri-tjetrit. Trumpi tha gjithashtu se nuk do të ketë trupa izraelite që do të shkojnë në kryeqytetin libanez, Bejrut.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 3.468 persona janë vrarë dhe 10.577 janë plagosur në sulmet izraelite që nga 2 marsi.




















