Tehrani: Nuk kemi lidhje me sulmin me dronë ndaj Arabisë Saudite
“Qeveria saudite duhet të hetojë burimin e këtyre sulmeve”, bëri thirrje Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) mohoi sot çdo përgjegjësi për një sulm me dron që kishte në shënjestër kryeqytetin saudit Riad dhe rajonin lindor të vendit, duke i bërë thirrje Arabisë Saudite të hetojë burimin e sulmit.
Të shtunën, autoritetet saudite njoftuan se 13 dronë u zbuluan dhe u shkatërruan mbi Riad dhe Provincën Lindore, pa dhënë detaje për origjinën e sulmit apo nëse ai shkaktoi dëme ose viktima.
“Irani nuk ka asnjë lidhje me këtë sulm dhe qeveria saudite duhet të hetojë burimin e këtyre sulmeve”, tha IRGC-ja në një deklaratë.
Të shtunën, Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, që është komanda e përbashkët e forcave luftarake të Forcave të Armatosura të Iranit, akuzoi ShBA-në dhe Izraelin se po kryejnë sulme ndaj atyre që ai i quajti “objektiva të paligjshme” në vendet e rajonit duke përdorur dronë të ngjashëm me dronin iranian Shahed-136.
Që nga 28 shkurti, ShBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ushtarake ndaj Iranit, duke vrarë më shumë se 1.200 persona, përfshirë udhëheqësin suprem Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa dhe dronë drejt Izraelit, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane.