Transporti publik në Shqipëri do të reduktohet me 40 për qind pas rritjes së çmimeve të karburantit

Në një njoftim të përbashkët, shoqatat e transportit theksuan se ky vendim erdhi pas rritjes së çmimit të naftës deri në 215 lekë për litër, e cila ka rënduar ndjeshëm koston e operimit për operatorët e transportit publik.

By
Transporti publik në Shqipëri do të reduktohet me 40 për qind pas rritjes së çmimeve të karburantit / ATA

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban në Shqipëri ka deklaruar se nga kjo e mërkurë, flota e autobusëve të shërbimit publik do të reduktohet me 40 për qind, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe mungesës së masave mbështetëse nga ana e qeverisë.

Në një njoftim të përbashkët, shoqatat e transportit theksuan se ky vendim erdhi pas rritjes së çmimit të naftës deri në 215 lekë për litër, e cila ka rënduar ndjeshëm koston e operimit për operatorët e transportit publik.

Përfaqësuesit e shoqatave kanë shprehur shqetësimin për mosmiratimin e një skeme kompesimi për rritjen e çmimit të karburantit, dhe për mungesën e një plani veprimi për lehtësimin e barrës fiskale të sektorit.

Ata theksuan se ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për mbështetje financiare dhe nuk është nisur procesi për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative të operatorëve, si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSh-ja.

“Derisa të merren masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, reduktimi i flotës me 40 për qind është një hap i detyruar për të mundësuar vazhdimin e aktivitetit në këto kushte të vështira financiare”, thuhet në deklaratë.