| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Hamasi: ShBA-ja shkel marrëveshjet ndërkombëtare duke refuzuar vizat për delegacionin palestinez
Delegacionit palestinez iu refuzuan vizat për të marrë pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Hamasi: ShBA-ja shkel marrëveshjet ndërkombëtare duke refuzuar vizat për delegacionin palestinez
Hamasi: ShBA-ja shkel marrëveshjet ndërkombëtare duke refuzuar vizat për delegacionin palestinez/ AFP

Hamasi dënoi sot vendimin e ShBA-së për të mos dhënë viza për delegacionin palestinez që të marrë pjesë në mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

"Ky vendim përbën shkelje flagrante të konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që rregullojnë punën e selisë së OKB-së dhe vazhdimësi të politikës së njëanshmërisë së plotë të ShBA-së në favor të pushtimit sionist", tha zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, në një deklaratë.

Kufizimi është vendosur për të dytin vit radhazi. Në vitin 2025, Uashingtoni refuzoi vizat për presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe zyrtarë të tjerë për të marrë pjesë në mbledhje, duke e detyruar Abbasin të merrte pjesë përmes video-lidhjes.

Të enjten, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që i lejon shtetit të Palestinës të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 81-të përmes një fjalimi të regjistruar paraprakisht nga presidenti i tij, i cili do të shfaqet në sallën e Asamblesë.

Rezoluta u mbështet nga 152 vende, kundër votuan tre dhe katër abstenuan.

Të enjten, Ministria e Jashtme palestineze kundërshtoi vendimin e Uashingtonit për zgjatjen e kufizimeve të vizave për zyrtarët palestinezë, duke u thirrur në pretendimet se ata nuk kanë përmbushur angazhimet ndaj ShBA-së. Ajo kërkoi heqjen e masës dhe fillimin e dialogut të drejtpërdrejtë palestinezo-amerikan.

Sipas Marrëveshjes së Selisë së OKB-së të vitit 1947, të lidhur mes organizatës dhe SHBA-së, Washingtoni, si vend pritës, është i detyruar të lehtësojë qasjen në selinë e OKB-së në New York për përfaqësuesit e shteteve dhe entiteteve që marrin pjesë në aktivitetet e OKB-së.

Palestina ka statusin e shtetit vëzhgues joanëtar në OKB që nga viti 2012.

Nga 193 vendet anëtare të OKB-së, 160 e njohin shtetin e Palestinës, i cili është anëtar i më shumë se 100 organizatave dhe traktateve ndërkombëtare, sipas Ministrisë së Jashtme palestineze.