Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar reagim ndërkombëtar ndaj deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, një prej aseteve kryesore të shtetit të Kosovës.
Haxhiu e ka quajtur shqetësim serioz dhe për t’u adresuar kërcënimin e presidentit Vuçiq, i cili një ditë më parë deklaroi se ka ftuar edhe ekspertë për këtë çështje.
Haxhiu gjatë organizimit të edicionit të nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës, ka thënë se diplomatët duhet të flasin për këtë kërcënim serioz të Serbisë ndaj Kosovës, në vendet ku shërbejnë.
"Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasojë shumë përtej një çështjeje teknike ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë. Për këtë arsye diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se idetë e tilla që ngjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar", tha Haxhiu.
Ajo ka folur edhe për gërmimet që po zhvillohen në tri lokacione në Zubin Potok.
Haxhiu ka thënë se edhe për këto çështje diplomatët duhet të jenë në komunikim me institucionet e vendeve ku shërbejnë për t’i bërë presion Serbisë që t’i hapë arkivat.























