Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ndodhet në Sllovaki për një vizitë zyrtare me ftesë të homologut Peter Pellegrini.
Dy krerët e shteteve zhvilluan një takim tête-à-tête (kokë më kokë) dhe më pas një takimin e zgjeruar mes delegacioneve.
Në fokus të bisedimeve ishte avancimi i marrëdhënieve dypalëshe, perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor, si edhe sfidat e sigurisë si aleate në NATO.
Begaj, në konferencën e përbashkët për mediet, vlerësoi mbështetjen e Sllovakisë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar atë një partner dhe aleat të rëndësishëm drejt këtij rrugëtimi.
Presidenti vuri theksin te progresi i Shqipërisë në procesin e negociatave dhe ambicien për të përmbyllur grup-kapitujt brenda vitit të ardhshëm, si edhe objektivin për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030.
“Falënderoj dhe i jemi mirënjohës qoftë presidentit, qoftë qeverisë, shtetit sllovak, për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me bindjen që kjo mbështetje do të vijojë akoma më tej edhe në të ardhmen dhe do të jetë e fortë si tani”, u shpreh presidenti.
Ndërkaq, Begaj u shpreh se strukturat e BE-së e kanë njohur dhe e kanë vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria në reformat e thella të ndërmarra, po ashtu edhe progresin e prekshëm institucional.
Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e politikës sllovake, si edhe të qytetarëve sllovakë, për mbështetjen e dhënë për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë kuptim, Sllovakia, duke qenë një nga avokatet më të rëndësishme në procesin e anëtarësimit në Bashkimit Evropian për Shqipërinë, ka ndihmuar Shqipërinë dhe ka qenë gjithmonë prezente me ekspertizën e saj”, tha ai.
Presidenti Begaj shprehu, gjithashtu, mirënjohje edhe për angazhimin e Sllovakisë në kuadër të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.
Dy presidentët afirmuan vullnetin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si: energjia, turizmi, bujqësia dhe shëndetësia, energjia e rinovueshme dhe tranzicioni i gjelbër.
Ata theksuan nevojën për institucionalizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe krijimit të instrumenteve të reja të partneritetit.
Hapja e linjës direkte ajrore Tiranë-Bratisllavë u cilësua si një hap që do të afrojë më tej dy popujt dhe do të forcojë marrëdhëniet mes tyre.
Sa u përket zhvillimeve rajonale, Begaj tha se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet thelbësor për sigurinë evropiane dhe se integrimi i rajonit duhet të vazhdojë të jetë prioritet strategjik për Bashkimin Evropian.
Duke e falënderuar Sllovakinë për prezencën me trupa në KFOR, kreu i shtetit shprehu besimin për “një rivlerësim të qëndrimit sllovak ndaj Kosovës, sidomos në mosbllokimin e rrugëtimit të saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”.
Gjatë vizitës në Bratislavë, Begaj zhvilloi takime edhe me kryeministrin Robert Fico dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Sllovakisë, Richard Raši, nga të cilët mori mbështetje për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Presidenti shqiptar gjithashtu nderoi viktimat e komunizmit në memorialin “Porta e Lirisë”, kushtuar personave që humbën jetën duke tentuar të kalonin “Perden e Hekurt” të ish-Çekosllovakisë.




























