Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit në periudhën e luftës në Kosovë, James Rubin, filloi të hënën dëshminë e tij në rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale me seli në Hagë.
Rubin është dëshmitari i parë i ftuar nga Thaçi nga 11 sa do të jenë gjithsej, i cili po rrëfen në gjykatë për ngjarjet e luftës së UÇK-së dhe njohjen e tij me Thaçin dhe rrethanat e kohës së luftës.
Rubin gjatë deklarimeve të tij e përshkroi Thaçin si përfaqësues të UÇK-së pa pushtet të vërtetë duke thënë se “ai nuk i kishte njohuritë, kapacitetet ose autoritetin për të marrë vendime në çfarëdo forme ose mënyre”.
Ai ka treguar se përshtypja e tij për Thaçin ishte se ai mund të pasqyronte vendimmarrjen dhe jo të merrte vendime si i vetëm.
“Ka qenë një situatë me shumë presion. Nëse lëvizja kosovare do ta përqafonte Perëndimin, Perëndimi do të ishte pro tyre. Fati i jetëve të një milion njerëzve ishte në pyetje. Ai ishte një person i caktuar për të komunikuar me ne, por e kishim të qartë se nuk kishte autoritet, por vetëm pasqyronte vendimet nga zyra e udhëheqjes shqiptare. Ai duhej ta merrte lejen vetë prej tyre. Kur ne diskutonim diçka të rëndësishme, ai duhej të komunikonte me persona të tjerë për të marrë vendimin. Përshtypja ime për Thaçin ishte se ai mund të pasqyronte vendimmarrjen. Pra, përshtypja ime ishte se ai ishte një pasqyrim i kësaj udhëheqjeje”, ka thënë Rubin.
Duke folur për takimet me Thaçin në kohë lufte, Rubin tha se ai ishte 39 vjeç, ndërsa Thaçi rreth 30 vjeç dhe nga përceptimet e tij, kishte konstatuar se Thaçi ishte i tërhequr në raport me komandantët e UÇK-së, sidomos për shkak të moshës së tij të re.
“Mosha e Thaçit atëherë ishte afërsisht 30 vjeç, ndërsa imja 39. Unë konstatova që ai ishte i tërhequr në raport me ta dhe ku kërkoi informacion ose njohuri se si funksiononte UÇK-ja, Hashim Thaçi duhej t’i drejtohej grupit të komandantëve për të marrë njohuri, informacione apo udhëzime për vendimmarrje. Ai ishte i tërhequr dhe kishte një lloj distancimi prej tyre. Për shkak të diferencës së moshës, përshtypja ime ishte që ai merrte mendimin e tyre se çfarë duhet të vepruar”, theksoi tutje Rubin.
Ai është pyetur nga avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, nëse kishte pasur ndonjë kontakt me Krasniqin, por Rubin u përgjigj se kontaktet me të i ka pasur minimale sepse “bashkëbiseduesi kryesor i tij ka qenë Thaçi”.
I pyetur nëse kishte gjetur informacione që e lidhnin atë me pretendimet për ekzekutime dhe vrasje, Rubin tha se, ngjashëm sikurse për Thaçin, nuk ishte hasur në asnjë informacion që e lidhte Krasniqin me këto pretendime.
“Kam pyetur të gjithë ata që mund të kishin informacione për këto pretendime, jo vetëm në vitet 2000, por edhe më vonë. Por, asnjëherë nuk kam marrë ndonjë informacion që t’i lidhte këto pretendime me ta”, tha Rubin.
Gjatë dëshmisë së tij, në gjykatë ishin të pranishëm edhe dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë dhe pasi t'i përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi nga mbrojtja e ekipit të Krasniqit, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë.
Dëshmi mbrojtëse nuk pritet t'i paraqesin ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit.
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë përmes një shkrese më 2 shtator ka njoftuar se mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për t'i paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.























