Presidenti i Unionit të Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA), Aleksander Ceferin ka qëndruar për vizitë në Shkup, me ftesë të presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Masar Omeragiq.
Gjatë vizitës, Ceferin ishte i shoqëruar nga një delegacion i UEFA-s, ku përfshihej edhe drejtori për shoqatat kombëtare, Zoran Lakoviq dhe udhëheqësi për zhvillim të shoqatave kombëtare në UEFA, Denis Bastari.
Siç njofton FFM, Omeragiq theksoi rëndësinë e vizitës, veçanërisht në nxitjen për reformat dhe zhvillimin e futbollit maqedonas në periudhën e ardhshme.
“Kjo mbështetje dhe mirëkuptim nga UEFA është një nxitje e fortë për të vazhduar me reformat dhe për të zhvilluar futbollin maqedonas në nivelin më të lartë të mundshëm", tha Omeragiq.
Gjatë vizitës, kreu i UEFA-s u prit në takim edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Sportit, Borko Ristovski.























