| Albanian
LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite: Droni i huthëve u rrëzua në rajonin e Mekës
Zëdhënësi i koalicionit, Al-Maliki tha se droni i Huthive u kap dhe u shkatërrua ndërsa grupi pretendon se "sot nuk ka kryer asnjë operacion që synonte territorin saudit"
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite: Droni i huthëve u rrëzua në rajonin e Mekës
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite: Droni i huthive u rrëzua në rajonin e Mekës

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen njoftoi sot se kishte kapur dhe shkatërruar një dron të lëshuar nga grupi Huthi drejt rajonit të Mekës në Arabinë Saudite, ndërsa grupi mohoi se e kishte lëshuar dronin.

“Një dron i lëshuar nga milicia terroriste Huthi u kap dhe u shkatërrua në rajonin e Mekës”, shkroi në X zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Maliki.

Zëdhënësi i Huthëve, Yahya Saree tha në Telegram se grupi “sot (të premten) nuk ka kryer asnjë operacion që synonte territorin saudit”.

“Pretendimi i armikut saudit se ka kapur një dron në hapësirën ajrore mbi Mekë është gënjeshtër e madhe dhe flagrante”, pretendoi Saree.

Deklaratat e fundit nga të dyja palët vijnë pasi Al-Maliki tha më herët sot se mbrojtja ajrore e koalicionit kishte kapur dhe shkatërruar një raketë lundruese të Huthëve që synonte Arabinë Saudite perëndimore.

Zhvillimet vijnë në një kohë të përshkallëzimit të armiqësive mes koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Huthëve ndërsa të dyja palët kanë raportuar operacione ushtarake dhe sulme gjatë ditëve të fundit.

Huthitë njoftuan të enjten se kishin kryer gjashtë sulme ndaj objektivave në Arabinë Saudite, përfshirë objekte nafte dhe aeroporte.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite është i përfshirë në konfliktin në Jemen që nga marsi i vitit 2015, duke mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht kundër Huthëve, të cilët morën kontrollin e kryeqytetit Sana në shtator të vitit 2014.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë