Prishtinë, ndizen qirinj në kujtim të viktimave të Masakrës së Reçakut

Dhjetëra qytetarë u mblodhën pranë bustit të Gjergj Kastriotit–Skënderbeut, ku ndezën qirinj duke përkujtuar njërën nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë.

By
Prishtinë, ndizen qirinj në kujtim të viktimave të Masakrës së Reçakut / AA

Me rastin e 15 janarit - Ditës së Masakrës së Reçakut, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë janë ndezur qirinj në shenjë kujtimi dhe nderimi për viktimat.

Dhjetëra qytetarë u mblodhën pranë bustit të Gjergj Kastriotit–Skënderbeut, ku ndezën qirinj duke përkujtuar njërën nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë.

Aktiviteti u zhvillua në mënyrë simbolike, si thirrje për drejtësi dhe për të mos i harruar krimet e kryera në Reçak.

Më 15 janar të vitit 1999, në Reçak të Komunës së Shtimës, forcat serbe vranë 45 civilë, burra, gra, fëmijë dhe pleq. Masakrës i dha zë në botë ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, në Kosovë, ambasadori William Walker, i cili e cilësoi për herë të parë këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, ku NATO-ja vendosi t’i sulmojë caqet ushtarake e policore serbe.