Shkëndija dhe Drita vazhdojnë ëndrrën evropiane, kualifikohen në play-off të Ligës së Konferencës
Shkëndija dhe Drita vazhdojnë rrugëtimin evropian dhe përjetojnë një tjetër moment historik, më të madhin deri më tani në Kupat e Evropës.
Edhe pse u mposht 1:0 nga AEK Larnaca në Qipro, kjo humbje nuk pati pasoja për skuadrën tetovare, e cila me 7 pikë nga 6 ndeshje siguroi kualifikimin në play-off të UEFA Ligës së Konferencës, në debutimin e saj në fazën kryesore të kësaj gare.
Ky rezultat i garanton Shkëndijës qëndrimin në garat evropiane edhe në pranverën e vitit 2026, me të paktën dy ndeshje të tjera ndërkombëtare.
Trajneri Jeton Beqiri vlerësoi lart paraqitjen dhe rrugëtimin e skuadrës, duke theksuar se Shkëndija e kontrolloi mirë ndeshjen deri në kartonin e kuq, ndërsa përballë kishte një kundërshtar shumë cilësor dhe me përvojë në arenën evropiane.
“Mendoj që momenti kur kalon raundin, mund të quhet i suksesshëm. Unë asnjëherë nuk jam i kënaqur, gjithmonë kërkoj më shumë. Edhe në ndeshjen e sotme, pavarësisht se ishim me një lojtar më pak nga minuta e 53-të, do të isha shumë i lumtur nëse do të kalonim me barazim ose me fitore. Por, edhe aspekti fizik dhe prishja e konceptit të lojës me një lojtar ma pak ndaj një skuadre jashtëzakonisht shumë të fuqishme, bëhet shumë e rëndë. E rendësishme është që të jemi pozitiv, të mësojmë dhe e rëndësishme është që e gjitha kjo që na ndodhi në këtë vit është diçka e re, e jashtëzakonshme dhe më shumë se kaq nuk do të kërkonim që të na jepte Zoti për këtë vit”- tha trajneri Beqiri.
Sipas tij, kualifikimi është një arritje e madhe dhe dëshmi e stabilitetit që ekipi ka treguar gjatë gjithë kampanjës, ndonëse në disa raste ka munguar fati dhe eksperienca për të marrë edhe më shumë pikë.
Beqiri nënvizoi se emocioni i këtij suksesi është i veçantë, por ambicia e Shkëndijës nuk ndalet këtu. Pas ëndrrës për të hyrë në Ligës së Konferencës dhe për ta kaluar fazën, synimi i radhës është të provohet edhe një hap më tej në play-off. Ai falënderoi tifozët dhe opinionin sportiv për mbështetjen, duke theksuar se pranvera evropiane pritet të jetë një tjetër kapitull pozitiv për klubin.
Me kualifikimin e siguruar, Shkëndija tani e ka fokusin te ndeshjet e radhës dhe shorti i play-offit, me bindjen se ky rrugëtim evropian mund të sjellë edhe momente të tjera historike për klubin.
Përveç Shkëndisë, edhe Drita e Gjilanit është skuadra e dytë shqiptare e cila kaloi fazën e grupeve në Ligën e Konferencës ndonëse në ndeshjen e fundit pësoi disfatë si mysafie kundër skuadrës spanjolle Rayo Vallecano me rezultat 3:0.
Drita u rradhit në vendin e 20 në grupë me 8 pikë të grumbulluara.