Trump paralajmëron: Pas Iranit, radhën e ka Kuba, është drejt kolapsit
Presidenti i ShBA-së sinjalizoi se Havanan mund të ndjekë shembulli i Teheranit në axhendën e përshkallëzuar të politikës së jashtme të Uashingtonit, duke lënë të kuptohet se sapo të qetësohet konfrontimi me Iranin, presioni mbi Kubën mund të rritet.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka përsëritur se Kuba është “e radhës” pas operacionit ushtarak kundër Iranit dhe tha se vendi ishullor në Karaibe do të dështojë së shpejti.
“Kuba do të jetë e radhës,” u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, gjatë udhëtimit drejt Uashington, DC të dielën.
Ai e përshkroi Kubën si “një rrëmujë”.
“Është një vend në dështim dhe ata do të jenë të radhës. Brenda një periudhe të shkurtër kohe, do të dështojë dhe ne do të jemi aty për ta ndihmuar. Do të jemi aty për të ndihmuar amerikanët tanë kubanezë të mrekullueshëm,” shtoi ai.
“Nuk kam problem” me naftën ruse
I pyetur për një raport të The New York Times se një tanker nafte rus do të lejohej të arrinte në Kubë, Trump tha se “nuk ka problem” me këtë.
“Nuk kemi problem që dikush të sjellë një ngarkesë me anije, sepse ata duhet të mbijetojnë.”
“U kam thënë se nëse një vend dëshiron të dërgojë pak naftë në Kubë tani, nuk e kam problem, qoftë Rusia apo jo,” tha ai.
I pyetur nëse është i shqetësuar se kjo do ta ndihmonte presidentin rus Vladimir Putin, Trump tha se jo.
“Ai humb një ngarkesë nafte, vetëm kaq. Është në rregull. Nëse dëshiron ta bëjë këtë dhe nëse vende të tjera duan ta bëjnë, nuk më shqetëson shumë. Nuk do të ketë ndikim, Kuba ka mbaruar”.
“Ata kanë një regjim të keq. Kanë një udhëheqje shumë të keqe dhe të korruptuar, dhe pavarësisht nëse marrin apo jo një anije me naftë, kjo nuk do të ketë rëndësi. Do të preferoja ta lejoja, qoftë Rusia apo kushdo tjetër, sepse njerëzit kanë nevojë për ngrohje, ftohje dhe të gjitha gjërat e tjera që u duhen,” shtoi ai.