Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit turk miratoi sot një projektligj për ratifikimin e Marrëveshjes së Mekës për Mbrojtjen e Përbashkët ndërmjet Türkiyes, Arabisë Saudite dhe Pakistanit.
Projektligji u miratua pas diskutimeve, gjatë të cilave zëvendësministri i Jashtëm turk, Levent Gumrukcu iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me marrëveshjen. Duke folur në mbledhjen e komisionit, Gumrukcu tha se marrëveshja synon forcimin e sigurisë rajonale përmes bashkëpunimit dhe mbrojtjes kolektive.
“Marrëveshja e Mekës nuk është vetëm vazhdim i marrëdhënieve të veçanta miqësore mes tre vendeve, por edhe produkt konkret i përgjegjësisë rajonale, për të cilën rajoni ynë ka gjithnjë e më shumë nevojë”, tha Gumrukcu. Ai kujtoi se marrëveshja u nënshkrua në Mekë më 7 gusht nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, princi i kurorës dhe kryeministri saudit Mohammed bin Salman, si dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif.
Zv/ministri tha se Arabia Saudite dhe Pakistani i kishin përfunduar procedurat e brendshme të ratifikimit dhe kishin dorëzuar njoftimet zyrtare përkatëse.
Gumrukcu tha se marrëveshja përbën një hap fillestar drejt krijimit të një kuadri rajonal të sigurisë, të bazuar në bashkëpunim dhe mbrojtje kolektive. Ai shtoi se tre vendet synojnë të marrin përgjegjësi për përballimin e sfidave rajonale, në vend që të presin zgjidhje nga jashtë rajonit.
Ai tha se ky kuadër synon të kontribuojë jo vetëm në sigurinë e tre vendeve nënshkruese, por edhe në atë të rajonit më të gjerë, duke forcuar dialogun dhe bashkëpunimin e bazuar në besimin e ndërsjellë dhe duke nxitur stabilitetin afatgjatë.
- Marrëveshja “synon integrimin dhe jo krijimin e blloqeve në rajon”
Gumrukcu theksoi se marrëveshja ka karakter tërësisht mbrojtës dhe nuk synon asnjë vend.
Ai tha se marrëveshja është e hapur për të gjitha vendet e rajonit që respektojnë të drejtën ndërkombëtare, përfshirë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, ndalimin e përdorimit të forcës, përveç rasteve të vetëmbrojtjes, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme.
“Marrëveshja synon integrimin dhe jo krijimin e blloqeve në rajon, duke përqafuar një vizion gjithëpërfshirës dhe jo përçarës”, shtoi ai.
- Bashkëpunimi në mbrojtje dhe angazhimet ndaj NATO-s
Gumrukcu tha se marrëveshja parashikon forcimin e parandalimit kolektiv, zhvillimin e konsultimeve të rregullta për çështjet e sigurisë ndërkombëtare dhe përmirësimin e ndërveprueshmërisë mes forcave të armatosura të vendeve përmes shkëmbimit të personelit, programeve të përbashkëta të trajnimit dhe stërvitjeve ushtarake.
Ai tha se marrëveshja parashikon bashkëpunim më të ngushtë në industrinë e mbrojtjes, përfshirë prodhimin e përbashkët dhe shkëmbimin e teknologjisë, forcimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit si dhe mbështetjen logjistike mes palëve për zbatimin e marrëveshjes.
Zv/ministri i Jashtëm theksoi se marrëveshja nuk do t'i zëvendësojë dhe as do t'i cenojë detyrimet e Türkiyes në kuadër të aleancave dhe marrëveshjeve ekzistuese. Ai tha se kjo nismë pritet të plotësojë pjesëmarrjen e Türkiyes në platformat shumëpalëshe, veçanërisht në NATO, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe duke mbështetur sigurinë evropiane, duke pasur parasysh ndërlidhjen mes dy rajoneve.
Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, Fuat Oktay hodhi poshtë shqetësimet se pakti mund të përbëjë alternativë ndaj NATO-s. “Kishte pyetje nëse po krijohej një alternativë ndaj NATO-s. Absolutisht jo”, u tha Oktay gazetarëve.
“Kjo marrëveshje nuk do të cenojë integritetin territorial ose sovranitetin e tri vendeve, e as ndonjë marrëveshje që ato kanë nënshkruar deri më tani”, shtoi ai. Oktay tha se pakti nuk do të ndryshojë statusin juridik, sovranitetin apo politikat e jashtme dhe të mbrojtjes të vendeve, duke theksuar se ai nuk do të cenojë koherencën e politikës së jashtme të Türkiyes.























