Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar ceremoninë mortore të mbajtur për kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mlladiq, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”.
“Pamjet nga funerali i Ratko Mlladiqit dje në Beograd ishin tronditëse. Ratko Mlladiq ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, shkroi von der Leyen në rrjetin social amerikan X.
Ajo e cilësoi si “thellësisht për të ardhur keq” mbështetjen e dukshme zyrtare dhe praninë e disa zyrtarëve të lartë serbë në funeral.
“Ato dëshmojnë një dështim për t’u përballur me një kapitull të errët të historisë së afërt të Evropës dhe bien ndesh me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e Serbisë drejt BE-së”, shtoi ajo.
Në një konferencë për media të Komisionit Evropian, zëdhënësi Guillaume Mercier u pyet nëse blloku ende dëshiron të hapë një tjetër grup-kapitull në kuadër të përpjekjeve të Serbisë për t’u anëtarësuar në BE.
Duke rikujtuar se Komisioni Evropian kishte rekomanduar në korrik, pas vlerësimeve teknike, hapjen e grup-kapitullit 3 të negociatave të anëtarësimit në BE me Serbinë, Mercier tha se vlerësimi ishte bërë në bazë të elementeve përkatëse që ishin në dispozicion në atë kohë.
“Diskutimi për grup-kapitullin 3 aktualisht po zhvillohet me shtetet anëtare dhe ky diskutim do të duhet të zhvillohet duke marrë parasysh edhe zhvillimet më të fundit politike që kemi parë”, theksoi ai.
Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Serbëve të Bosnjës, vdiq në Hagë më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, teksa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ai ishte dënuar për krimet e kryera gjatë Luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, përfshirë gjenocidin për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, ku u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.























