Arabia Saudite synon rrugë alternative për eksportin e naftës përmes portit Yanbu
Zhvillimi vjen në një kohë kur eksportet totale të naftës të Riadit kanë shënuar luhatje, me rënie nga 7,1 milionë fuçi në ditë në shkurt në 4,3 milionë në mars.
Arabia Saudite, eksportuesja më e madhe e naftës në botë, po përpiqet të përfitojë nga rrugët alternative të eksportit përmes portit Yanbu, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po pengon eksportet.
E vendosur në bregdetin e Detit të Kuq, Yanbu është bërë një komponent kyç i strategjisë së mbretërisë për të siguruar dërgesa të pandërprera të naftës së papërpunuar, sipas të dhënave nga Kpler të publikuara të mërkurën.
Porti është i lidhur me fushat e naftës në lindje të Arabisë Saudite përmes tubacionit Lindje-Perëndim, i gjatë 1.200 kilometra, duke mundësuar që nafta të anashkalojë Ngushticën e Hormuzit.
Para 28 shkurtit, eksportet nga ky port mesatarisht ishin rreth 0,8 milion fuçi në ditë. Nga mesi i marsit, konkretisht mes 15 dhe 26 marsit, kjo shifër u rrit në rreth 3,94 milionë fuçi në ditë, duke sinjalizuar një rritje të shpejtë të përdorimit, sipas të dhënave të Kpler.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur eksportet e përgjithshme të naftës të Arabisë Saudite kanë shfaqur luhatje, duke rënë nga 7,1 milionë fuçi në ditë në shkurt në 4,3 milionë në mars, sipas të dhënave.
Ngushtica e Hormuzit është bllokuar në mënyrë efektive që nga fillimi i marsit. Rreth 20 milionë fuçi naftë kalojnë zakonisht çdo ditë nëpër këtë rrugë ujore, dhe ndërprerja e saj ka rritur kostot e transportit dhe ka shtyrë në rritje çmimet globale të naftës.
Yanbu është bërë një nga dy daljet kryesore për eksportin e naftës nga vendet e Gjirit, pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit në shenjë kundërpërgjigjeje ndaj sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit që nisën më 28 shkurt.