Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Abdullah Eren, me të cilin diskutuan thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe projektet zhvillimore që TIKA po mbështet në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Eren vlerësuan rezultatet e deritanishme të projekteve në arsim, shëndetësi, zhvillim rural dhe bujqësi si dhe ruajtje të trashëgimisë kulturore, duke theksuar rëndësinë e tyre për përmirësimin e shërbimeve publike dhe fuqizimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.
"Kosova e çmon partneritetin me Türkiyen dhe kontributin e TIKA-s në projekte konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës", tha Kurti.
Nga ana e tij, Eren theksoi përkushtimin e TIKA-s për vazhdimin dhe zgjerimin e programeve mbështetëse duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që të punohet së bashku me institucionet qendrore dhe komunale për projekte të shpejta, të qëndrueshme dhe me ndikim të matshëm.
Palët u dakorduan që të krijohet një koordinim edhe më i afërt mes ekipeve për të identifikuar prioritete të reja, me fokus te investimet në infrastrukturë arsimore e shëndetësore, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla rurale dhe projektet e ruajtjes së trashëgimisë.























