| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Liderët evropianë mblidhen për një takim jozyrtar, me fokus IA-në dhe zhvillimet në Ukrainë
Ursula von der Leyen tha se takimi do të fokusohet te mundësitë dhe rreziqet e inteligjencës artificiale, veçanërisht tek IA-ja industriale.
Liderët evropianë mblidhen për një takim jozyrtar, me fokus IA-në dhe zhvillimet në Ukrainë
Liderët evropianë mblidhen për një takim jozyrtar, me fokus IA-në dhe zhvillimet në Ukrainë / َAA

Udhëheqësit evropianë u mblodhën të premten për një takim jozyrtar të Këshillit Evropian, ku inteligjenca artificiale (IA) dhe zhvillimet në lidhje me Ukrainën mbeten në krye të agjendës. 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u tha gazetarëve përpara takimit se ata do të fokusohen si në mundësitë ashtu edhe në rreziqet e inteligjencës artificiale, duke theksuar rëndësinë e IA-së industriale.

Duke nënvizuar se blloku ka një njohuri "të jashtëzakonshme" dhe ekspertizë sektoriale së bashku me "të dhëna me cilësi shumë të lartë", von der Leyen theksoi se ata duhet të synojnë t'i përdorin këto për IA-në industriale të prodhuar në Evropë.

Kryeministri irlandez, Micheal Martin, gjithashtu vuri në dukje se ata do të eksplorojnë ekuilibrin midis rregullimit dhe inovacionit, sovranitetit teknologjik dhe se si Evropa mund të ndërveprojë me zhvillimet në IA në gjithë botën.

Ai shtoi se ata do të fokusohen gjithashtu në ndikimet e IA-së në punësim dhe rreziqet e lidhura me to.

"Unë e urrej ‘mantrën‘ (kuptim i shenjtë) se Evropa ka humbur disi garën e IA-së. Mendoj se ne kemi nevojë për besimin dhe forcën për ta provuar atë," u tha gjithashtu gazetarëve presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.

Duke nënvizuar se blloku ka talent "të klasit botëror", një ekosistem "të madh" teknologjik dhe ekspertizë industriale, ajo theksoi nevojën për ta zhbllokuar kapitalin.

"Ne duhet të sigurohemi që ka fonde që idetë të rriten dhe të zgjerohen në Evropë", tha Metsola.

- Bisedimet për paqen në Ukrainë janë gjithashtu në agjendë

Von der Leyen përshëndeti më tej shkëmbimin e planifikuar të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Është e vetëshpjegueshme që Evropa është përfshirë në bisedimet e paqes për t'i mbrojtur interesat tona, por edhe për të mbështetur Ukrainën”, tha gjithashtu ajo.

Kryeministri irlandez tha se tani që është e qartë se Evropa do të jetë në bisedimet e paqes, diskutimet e sotme do të fokusohen në përmbajtjen dhe llojin e paqes që Europa dëshiron të sigurojë.

"Ne kemi thënë gjithmonë se jemi të hapur për monitorimin e armëpushimit, dimensionin paqeruajtës të tij, dhe jo anën e zbatimit të tij, ose jo një forcë parandaluese (...) Irlanda si paqeruajtëse do të jetë e gatshme të luajë një rol në monitorimin e asaj paqeje dhe veçanërisht të një linje armëpushimi", shtoi ai.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë