Ministri i Shtetit për Evropën në Tiranë: Duam ta shohim Shqipërinë në BE
Krichbaumi theksoi se qeveria shqiptare duhet t’i zbatojë në mënyrë të vendosur reformat e radhës, “veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, si dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum, vizitoi sot Tiranën, ku zhvilloi takime me kryeministrin, Edi Rama, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, zv.ministren e Jashtme, Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, si dhe me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho.
Në agjendën e bisedimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, fuqizimi i shtetit të së drejtës, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ministri i Shtetit, Krichbaum u shpreh se, “për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së”.
“Ne shohim potencialin tejet të madh te përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe në sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë”, tha ai.
Krichbaumi theksoi se Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar, me rrugën e nisur në drejtim të BE-së, që sipas tij duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në mënyrë të vendosur reformat e radhës, “veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Për këtë qëllim, vijoi ai, “lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese”.