Suedia të martën u bëri thirrje partnerëve të saj në BE që ta rrisin presionin mbi Tel Avivin, pasi një komision hetimor i OKB-së arriti në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gaza.
"Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën në Gaza dhe duhet të ushtrojmë më shumë presionmbi qeverinë izraelite", tha ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard gjatë një konference të përbashkët për media mehomologun e saj gjerman në Berlin.
Kur u pyet për raportin historik të komisionit ndërkombëtar të pavarur të OKB-së, i cili arriti në përfundimin se autoritetet dhe forcat e sigurisë izraelite kryen gjenocid në Gaza, Stenergard tha se këto gjetje përputhen me atë që ekspertë të ndryshëm kanë deklaruar më parë.
"Ne nuk bëjmë asnjë deklaratë nëse është gjenocid apo jo derisa një gjykatë ndërkombëtare të ketë vendosur zyrtarisht për të. Por, ne kemi detyrim për të ndaluar dhe parandaluar që të ndodhë gjenocidi", u tha ajo gazetarëve.
"Kjo është arsyeja pse Suedia është një nga ofruesit më të mëdhenj të ndihmës humanitare në Gaza. Kjo është arsyeja pse ne duam të ushtrojmë më shumë presion mbi qeverinë izraelite, për shembull, duke ndaluar pjesën tregtare të marrëveshjes së asociimit me BE-në ose duke vendosur sanksione edhe mbi ministrat ekstremistë në qeverinë izraelite", shtoi Stenergard.