Mbreti në fuqi më i ri në botë, King Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV, i cili mori fronin në moshën 3-vjeçare, ka ndërruar jetë njoftoi të enjten vonë Mbretëria Tooro e Ugandës. Ai ishte 34-vjeç.
I lindur më 16 prill 1992, Oyo hipi në fron më 12 shtator 1995, pas vdekjes së babait të tij, mbretit Patrick David Matthew Kaboyo Olimi III.
Oyo, i cili u njoh nga Guinness World Records si monarku në fuqi më i ri në botë, kishte qeverisur mbi 3 për qind të popullsisë së Ugandës, e cila numëron më shumë se 45 milionë banorë.
Mbretëritë ekzistojnë në disa pjesë të Ugandës, por ndikimi i tyre është kryesisht simbolik, pasi vendi qeveriset nga një president i zgjedhur.
Për shkak të moshës së tij të re, një ekip i përbërë nga nëna e tij, mbretëresha Best Kemigisa, anëtarë të familjes mbretërore të Mbretërisë Tooro dhe presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, e ndihmoi atë në drejtimin e çështjeve të mbretërisë deri në moshën 18-vjeçare.
Kryeministri i Mbretërisë Tooro, Calvin Armstrong Rwomire Akiiki, njoftoi vdekjen e Oyo-s në një deklaratë të publikuar në rrjetin social amerikan X.
“Me trishtim të thellë dhe zemër të rënduar njoftoj ndarjen nga jeta të Madhërisë së Tij Omukama (mbretit) të Tooro-s, mbretit Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV, rreth orës 22:00 të kësaj mbrëmjeje”, shkroi ai.
Megjithatë, mbretëria nuk dha detaje lidhur me sëmundjen me të cilën po përballej mbreti apo spitalin ku ai vdiq, por raportet e mediave pretenduan se ai vuante nga kanceri dhe po trajtohej në SHBA.






















