| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kosovë: Kreu i LDK-së kritikon gjashtë deputetë të partisë së tij për çështjen e presidentit
Në konferencën për mediat të martën Abdixhiku i ka kritikuar këta deputetë duke paralajmëruar edhe masa ndëshkuese.
Kosovë: Kreu i LDK-së kritikon gjashtë deputetë të partisë së tij për çështjen e presidentit
Kosovë: Kreu i LDK-së kritikon gjashtë deputetë të partisë së tij për çështjen e presidentit. Foto: Reuters

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar sot gjashtë deputetët e partisë së tij të cilët dolën kundër votimit të kandidatit Bekim Sejdiu për president të ri, si emër i përbashkët i propozuar me Lëvizjen Vetëvendosje.

Abdixhiku nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale ka thënë se “ua zgjat dorën për dëmet që ia kanë shkaktuar Kosovës” gjashtë deputetëve të këtij subjekti, që kundërshtuan vullnetin e kryesisë së partisë për votimin e presidentit të ri.

“Dje u refuzua zgjedhja e presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja. Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora! Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12 për qind; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së”, theksoi Abdixhiku.

Një ditë më parë, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj e Kujtim Shala dolën kundër marrëveshjes që kryetari i këtij subjekti e arriti me Vetëvendosjen për të propozuar Bekim Sejdiun për president. Madje marrëveshja u mbështet edhe nga kryesia e partisë. Pa këto vota, votimi i Sejdiut duket i paarritshëm nëse nuk përfshihen parti të tjera shqiptare.

Në konferencën për mediat të martën Abdixhiku i ka kritikuar këta deputetë duke paralajmëruar edhe masa ndëshkuese.

Deputetët që janë kundër Bekim Sejdiut president, kanë thënë se janë kundër zgjatjes së pushtetit kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka paralajmëruar sot takime të reja me LDK-në sa i përket çështjes së presidentit, duke thënë se përkundër kundërshtive brenda LDK-së, marrëveshja për emrin e Bekim Sejdiut për president, është ende valide.

Ai tha se takimet e reja me LDK-në do të zhvillohen për t’u gjetur zgjidhje.

“Natyrisht, siç kam thënë mbrëmë, do të zhvillojmë edhe takime dhe mbledhje. Për ne marrëveshja politike është valide”, tha Kurti.

Ai nuk përjashtoi që një takim i tij me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të mbahet dikur më vonë, por konfirmoi se diçka e tillë nuk ndodhi në mëngjes.

Një ditë më parë, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj e Kujtim Shala dolën kundër marrëveshjes që kryetari i këtij subjekti e arriti me Vetëvendosjen për ta propozuar Bekim Sejdiun për president. Madje, marrëveshja u mbështet edhe nga Kryesia e partisë. Pa këto vota, votimi i Sejdiut duket i paarritshëm nëse nuk përfshihen parti të tjera shqiptare.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë