Presidenti i ShBA-së: Armëpushimi në Gaza mbetet në fuqi pavarësisht sulmeve izraelite

“Duam të sigurohemi që situata me Hamasin të mbetet paqësore”, thotë Donald Trump.

Presidenti i ShBA-së: Armëpushimi në Gaza mbetet në fuqi pavarësisht sulmeve izraelite / Reuters

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, deklaroi të dielën se armëpushimi në Gaza vazhdon të jetë në fuqi pavarësisht sulmeve të përsëritura izraelite që kanë lënë dhjetëra të vrarë në Rripin e Gazës, duke theksuar se Uashingtoni dëshiron të garantojë vazhdimësinë e qetësisë mes Izraelit dhe Hamasit.

“Do të shohim çfarë po ndodh. Duam të sigurohemi që të jetë një situatë shumë paqësore me Hamasin,” tha Trump para gazetarëve, i pyetur për sulmet e fundit të Izraelit.

“Siç e dini, ata (izraelitët) kanë qenë pak të vrullshëm. Kanë qëlluar disa herë. Dhe mendojmë se ndoshta drejtuesit nuk janë të përfshirë në këtë… ndoshta disa rebelë brenda”, shtoi ai.

“Por sidoqoftë, kjo do të trajtohet siç duhet. Do të trajtohet me vendosmëri, por në mënyrë të drejtë”, theksoi Presidenti amerikan.

I pyetur nëse armëpushimi mbetet në fuqi, Trump u përgjigj shkurt: “Po”.

Më herët gjatë ditës, qeveria e Gazës njoftoi se të paktën 97 palestinezë janë vrarë dhe 230 janë plagosur nga ushtria izraelite që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit më 10 tetor.

Në një deklaratë, Zyra e Medias e Qeverisë së Gazës tha se “okupacioni izraelit ka kryer 80 shkelje të dokumentuara që nga shpallja e armëpushimit, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare humanitare.”