Zyra e Presidentes: Osmani në pritje të vendimit të Kushtetueses
Sipas këshilltarit për media të Zyrës së Presidentes, edhe nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson të nevojshme vendosjen e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret një vendim të tillë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka nënshkruar ende dekretin për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë për shkak se është në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
Kështu ka bërë të ditur këshilltari për media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina, i cili tha se presidentja Osmani i ka njoftuar edhe partitë politike në takimin konsultativ për këtë qëndrim.
Sipas Kupinës, edhe nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson të nevojshme vendosjen e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret një vendim të tillë.
“Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse, siç i ka njoftuar edhe partitë në takimin konsultativ, ajo është në pritje të Gjykatës Kushtetuese”, tha Kupina.
Kupina theksoi se një masë e përkohshme nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit.
Në këtë kontekst, ai shtoi se presidentja është në pritje të vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese para se të ndërmarrë hapat e mëtejmë për dekretimin e datës së zgjedhjeve.
Osmani mori vendim për shpërndarjen e Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës, ndërsa këtë vendim e dërgoi për vlerësim në Kushtetuese partia e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas këtij vendimi, presidentja mbajti takim konsultativ me krerë të partive politike për datën e zgjedhjeve të reja, ndërsa në këtë takim nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sot gjatë ditës, Lëvizja Vetëvendosje, dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e dytë për vlerësim të dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Partia në pushtet argumenton se dekreti nuk ka bazë kushtetuese, duke iu referuar neneve të tjera të Kushtetutës dhe duke theksuar se procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars me afat 60-ditor për përmbylljen e procesit, ndërsa në anën tjetër Osmani këmbëngul se ky afat duhej të ishte shfrytëzuar para 5 marsit.