Më shumë se katër në 10 përdorues të internetit në Bashkimin Evropian kanë hasur mesazhe armiqësore ose poshtëruese onlajn gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara të premten nga Eurostat-i.
Agjencia statistikore e BE-së tha se 42,3 për qind e përdoruesve të internetit në gjithë bllokun raportuan se kanë parë përmbajtje armiqësore online që synon grupe ose individë të caktuar. Të dhënat bazohen në informacion të mbledhur nga 20 shtete anëtare të BE-së.
Hungaria regjistroi shkallën më të lartë të ekspozimit me 60,9 për qind, e ndjekur nga Finlanda me 56,7 për qind dhe Sllovakia me 56,2 për qind.
Përqindjet më të ulëta u raportuan në Letoni me 29,3 për qind, Greqi me 29,4 për qind, Gjermani me 33,7 për qind dhe Lituani me 33,8 për qind.
Sipas Eurostatit, personat e shënjestruar për shkak të pikëpamjeve të tyre politike ose sociale ishin viktimat më të zakonshme të mesazheve armiqësore ose poshtëruese online, të përmendura nga 33,7 për qind e të anketuarve.
Mesazhet që synonin njerëzit bazuar në origjinën racore ose etnike u raportuan nga 25,5 për qind e përdoruesve, ndërsa 23,4 për qind thanë se kanë hasur armiqësi të lidhur me orientimin seksual dhe 22,8 për qind përmendën fenë ose bindjet.
Përmbajtja armiqësore që synonte individë bazuar në gjini përbënte 16,9 për qind, e ndjekur nga aftësia e kufizuar me 11,5 për qind dhe mosha me 8,8 për qind, treguan të dhënat.
Shifrat bazohen në anketën e BE-së mbi përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit në familje dhe nga individët, duke përfshirë persona të moshës 16 deri në 74 vjeç që kanë përdorur internetin brenda tre muajve para anketës.





















