Në “Dyqanin e Mirësisë”, të hapur në Spitalin Numune të Sivasit, pacientëve që shtrohen me urgjencë dhe nuk i kanë me vete sendet e nevojshme u sigurohen falas pizhame, pantofla, çorape, rroba, pelena për bebe dhe produkte të kujdesit personal.
Artikujt e përgatitur në këtë dyqan, i cili u hap së fundmi në spital, sipas kërkesave të reparteve përkatëse, u dërgohen pacientëve që trajtohen në spital.
Kryemjeku i Spitalit Numune të Sivasit, specialisti Mehmet Fidan, tha për Anadolu se dyqani u hap për t’ua lehtësuar pacientëve sigurimin e artikujve bazë për të cilët mund të kenë nevojë gjatë trajtimit.
Duke theksuar se synojnë të mbështesin pacientët e shtruar dhe familjarët e tyre, Fidan tha se shtrimi në spital, operacionet apo lindjet e papritura mund të krijojnë nevoja të menjëhershme.
“Territori i provincës sonë është shumë i gjerë. Njerëzve nga fshatrat dhe rrethet e largëta mund t’u duhet të shtrohen papritur në spital. Në raste të tilla, ata mund të kenë nevojë për pizhame, pantofla, të brendshme dhe sende të tjera. Për këtë arsye e realizuam këtë projekt”, tha ai.
“Nuk pranojmë ndihma në para”
Fidan theksoi se, krahas trajtimit mjekësor, është e rëndësishme që pacientët të ndihen rehat dhe të sigurt gjatë qëndrimit në spital. Ai bëri të ditur se “Dyqani i Mirësisë” është një projekt i përgjegjësisë sociale.
“Nuk pranojmë donacione në para. Pranojmë si donacione produkte të përcaktuara nga ne, si pizhame, pantofla dhe pelena për bebe. Në rastet e shtrimit të papritur në spital, operacioneve dhe situatave të tjera, nevojat plotësohen përmes këtij dyqani, me kërkesë të infermierit të repartit. Bëjmë gjithçka që kemi mundësi për të përmbushur jo vetëm nevojat shëndetësore të qytetarëve tanë, por edhe nevojat e tyre në kuadër të përgjegjësisë sociale", tha ai.























