Gjykimi për zjarrin në Koçan, mbrojtja kërkon rishqyrtim të aktakuzës

Mbrojtja e cilësoi veprimin e Prokurorisë Publike si kontradiktor pas vendimit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion për ndalimin e ndjekjes penale ndaj shtatë zyrtarëve policorë.

By
Gjykimi për zjarrin në Koçan, mbrojtja kërkon rishqyrtim të aktakuzës / AA

Për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan të Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar, mbrojtja kërkoi sot që Prokuroria Publike ta rishqyrtojë aktakuzën, duke e cilësuar veprimin e saj si kontradiktor pas vendimit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion për ndalimin e ndjekjes penale ndaj shtatë zyrtarëve policorë.

Në seancën e sotme të gjykimit për rastin, avokatët theksuan se bëhet fjalë për persona të ndryshëm, duke vënë në dyshim bazën ligjore të ndjekjes ndaj të akuzuarve aktualë dhe duke kërkuar ndalimin e procedurës.

Gjykata konfirmoi se është në dijeni të vendimit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, por theksoi se gjykimi nuk mund të ndërpritet pa një qëndrim zyrtar nga Prokuroria kompetente në këtë lëndë.

Nga ana e saj, Prokuroria njoftoi se aktakuza aktuale është miratuar dhe ka hyrë në fuqi, duke sqaruar se vendimet për policët ende nuk janë përfundimtare dhe nuk janë pjesë e kësaj çështjeje gjyqësore.

Ndryshe, Prokuroria ka njoftuar se ka ndaluar procedurën penale ndaj shtatë zyrtarëve policorë në lidhje me zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, duke vlerësuar se veprimet e tyre nuk kanë qenë në lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë me tragjedinë.

Sipas Prokurorisë, policët kanë pasur kompetenca vetëm për kontroll të rendit publik dhe sigurisë në komunikacion, e jo për mbikëqyrjen e kushteve kundër zjarrit apo teknike të objektit, prandaj nuk mund të mbahen penalisht përgjegjës për pasojat fatale të zjarrit.

Ndryshe, procesi gjyqësor për rastin po vazhdon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

Diskoteka “Pulse” dyshohet për shkelje të rënda të sigurisë, përdorim të paligjshëm të mjeteve piroteknike dhe funksionim të jashtëligjshëm të objektit.