| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Trump: Kam marrë vendim për veprimet ndaj Venezuelës
“Nuk mund t’ju them çfarë do të jetë, por disi po”, u përgjigj Trump, kur u pyet nëse kishte vendosur për hapat e ardhshëm. “Kemi bërë përparim të madh me Venezuelën në ndalimin e hyrjes së drogës”.
Trump: Kam marrë vendim për veprimet ndaj Venezuelës
Trump: Kam marrë vendim për veprimet ndaj Venezuelës / AP
15 Nëntor 2025

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se ka marrë një vendim për një veprim të mundshëm ndaj Venezuelës, por refuzoi të japë detaje për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One.

“Nuk mund t’ju them çfarë do të jetë, por disi po”, u përgjigj Trump, kur u pyet nëse kishte vendosur për hapat e ardhshëm. “Kemi bërë përparim të madh me Venezuelën në ndalimin e hyrjes së drogës”.

Trump tha se përpjekjet e ShBA-së për ta frenuar trafikun e narkotikëve po japin rezultate, por theksoi sfidat që përfshijnë vendet fqinje.

“Kemi një problem me Meksikën. Kemi një problem me Kolumbinë”, tha ai. “Po bëjmë shumë mirë. Trafiku i drogës që hyn në vendin tonë është ngadalësuar ndjeshëm, siç mund ta imagjinoni”.

Gjatë dy muajve të fundit, ushtria amerikane ka kryer sulme vdekjeprurëse ndaj të paktën 21 anijeve që, sipas saj, transportonin drogë nga Amerika e Jugut drejt ShBA-së, pa dhënë prova për përfshirjen e tyre në kontrabandë, duke shkaktuar rreth 80 viktima.

Venezuela ka mobilizuar njësi ushtarake të rregullta dhe milici civile në të gjithë vendin si përgjigje ndaj këtyre sulmeve.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi të enjten se ShBA-ja do të nisë një mision të ri të quajtur “Operacioni Shtiza e Jugut” për t'i “larguar narkoterroristët nga hemisfera jonë”.

“Presidenti (Donald) Trump ka urdhëruar veprim dhe Departamenti i Luftës po e zbaton”, shkroi Hegseth në X.

Sipas mediave, të enjten Trumpit i janë paraqitur opsione për operacione ushtarake në Venezuelë, përfshirë sulme tokësore, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.

Hegseth, shefi i Shtabit të Përbashkët Dan Caine dhe zyrtarë të lartë informuan presidentin për opsionet ushtarake për ditët në vijim, thuhet në raport.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë