Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka miratuar të mërkurën, më 5 nëntor, në parim marrëveshjen me Italinë në fushën e mbrojtjes, një hap që vjen pas miratimit të marrëveshjes strategjike dypalëshe në 10 fusha të nënshkruar javën e kaluar.
Marrëveshjet e nënshkruara së fundi me Italinë prekin fusha të tilla si kujdesi shëndetësor, energjia, mjedisi, industria e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimi i migracionit, arsimi, inovacioni, diaspora, transformimi ekonomik dhe rritja inteligjente.
Në mesin e nëntorit, Shqipëria dhe Italia pritet të zhvillojnë në Romë mbledhjen e parë të përbashkët, duke konsoliduar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.
Marrëveshjet që do të nënshkruhen në Romë në kuadër të kësaj mbledhje të përbashkët synojnë të formalizojnë bashkëpunimin strategjik dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë.
Ato synojnë krijimin e një kornize të strukturuar për zbatimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta në fusha të ndryshme.
Shqipëria dhe Italia kanë firmosur në vitin 2010 Deklaratën e Partneritetit Strategjik.























