| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ushtria e Maqedonisë së Veriut demonstron aftësitë para mysafirëve në stërvitjen "BLESOK 26"
Presidentja Siljanovska-Davkova tha se Armata është faktor stabiliteti dhe ruajtëse e paqes globale, duke shtuar se mbi 180 pjesëtarë të ushtrisë aktualisht janë të angazhuar në misione paqeruajtëse ndërkombëtare.
Ushtria e Maqedonisë së Veriut demonstron aftësitë para mysafirëve në stërvitjen "BLESOK 26"
Ushtria e Maqedonisë së Veriut demonstron aftësitë para mysafirëve në stërvitjen "BLESOK 26" / AA

Në poligonin ushtarak “Krivollak”, sot u realizua Dita e Mysafirëve të Lartë në kuadër të stërvitjes ushtarake “BLESOK 26”, njoftoi Armata e Maqedonisë së Veriut.

Në ngjarje morën pjesë presidentja dhe komandantja supreme e Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës gjeneral-major Sashko Lafçiski, komandanti i Korpusit të NATO-s për Dislokim të Shpejtë-Greqi, gjeneral-nënkolonel Grigorios Bountliakis, si dhe përfaqësues të korit ushtarako-diplomatik, të pushtetit lokal dhe mysafirë të tjerë.

Në fjalimin e saj, presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se Armata është faktor stabiliteti dhe ruajtëse e paqes globale, duke shtuar se më shumë se 180 pjesëtarë të ushtrisë aktualisht janë të angazhuar në misione paqeruajtëse ndërkombëtare. Ajo vlerësoi se stërvitja “BLESOK 26” është dëshmi inkurajuese se ushtria po përgatitet seriozisht për sfidat e kohës.

Ministri i Mbrojtjes, Misajllovski, pas demonstrimit të ushtrimit, deklaroi se të pranishmit ishin dëshmitarë të aftësive, disiplinës dhe profesionalizmit të lartë të pjesëtarëve të ushtrisë, duke theksuar se vlerësimi “e gatshme për luftë” është rezultat i motivimit të personelit dhe procesit intensiv të modernizimit dhe pajisjes së forcave të armatosura.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Lafçiski bëri të ditur se Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë ka marrë statusin “e gatshme për luftë”, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh të arritur përmes planifikimit, trajnimit, pajisjes dhe modernizimit sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Në fjalën e tij, kundëradmirali Thorsten Marx nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli theksoi se Maqedonia e Veriut është aleat i fortë dhe i besueshëm i NATO-s, duke vlerësuar investimet në mbrojtje dhe pjesëmarrjen në misione të Aleancës.

Stërvitja “BLESOK 26”, në të cilën morën pjesë mbi 1.500 pjesëtarë të Armatës, përfshiu një skenar fiktiv me 25 ngjarje dhe mbi 100 incidente. Në kuadër të tij u realizua edhe vlerësimi i objektivit të NATO-s për aftësi – Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, i cili u shpall “i gatshëm për luftë për kryerjen e misionit të tij”, duke konfirmuar nivelin e lartë të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë me aleatët.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë