Erdoğan dënon vuajtjet e civilëve në Iran, bën thirrje për armëpushim

Türkiye është thellësisht e pikëlluar nga vuajtjet në Iran, ku civilët dhe fëmijët e pafajshëm po mbajnë barrën e konfliktit, thotë Recep Tayyip Erdoğan.

By
Erdoğan dënon vuajtjet e civilëve në Iran, bën thirrje për armëpushim / AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, të hënën shprehu pikëllim të thellë për vuajtjet e civilëve në Iran, duke shtuar se Türkiye do t’i intensifikojë përpjekjet diplomatike për një armëpushim që të ndihmojë në sjelljen e paqes.

“Ne ndajmë dhimbjen e popullit iranian. Jemi thellësisht të trishtuar që po shohim këtë vuajtje, ku janë civilët dhe fëmijët e pafajshëm që mbajnë barrën e konfliktit,” tha Erdoğan në një aktivitet në kryeqytetin Ankara.

Türkiye do të shtojë kontaktet diplomatike derisa të vendoset një armëpushim dhe të rikthehet qetësia në rajon, u zotua Erdoğan.

“Ne qëndrojmë në anën e paqes; duam që gjakderdhja të ndalet, lotët të pushojnë dhe rajoni ynë më në fund të arrijë atë paqe të qëndrueshme për të cilën ka pasur kaq shumë mall,” tha ai.

Presidenti theksoi se prioriteti i Türkiyes është sigurimi i një armëpushimi dhe hapja e rrugës për dialog.

“Nëse nuk bëhet ndërhyrja e nevojshme, konflikti do të ketë pasoja serioze për sigurinë rajonale dhe globale,” tha Erdoğan.

“Askush nuk mund t’i përballojë pasiguritë ekonomike dhe gjeopolitike që do të sillte një proces i tillë. Prandaj ky zjarr duhet të shuhet para se të përhapet edhe më tej.”

Sulmet e përbashkëta ShBA-Izrael që nga e shtuna raportohet se kanë vrarë disa zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Teherani është përgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj objektivave të lidhura me SHBA-në në vendet e Gjirit, duke shkaktuar disa viktima. Katër ushtarakë amerikanë janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur rëndë.

Gjysmëhëna e Kuqe iraniane tha se numri i të vdekurve nga sulmet ajrore të ShBA-së dhe Izraelit që nga e shtuna ka arritur në 555.