Spiropali nga Athina: Greqia do ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj për integrim drejt BE-së

“Ne presim që Greqia ta përdorë peshën e saj politike për ta avancuar idenë e një hapësire të përbashkët evropiane, ku rajoni të trajtohet si një tërësi strategjike, në respekt dhe të meritave të gjithsecilit”, u shpreh kryediplomatja.

By
Spiropali nga Athina: Greqia do ta mbështetesë Shqipërinë në rrugën e saj për integrim drejt BE-së / FB/Elisa Spiropali

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, deklaroi nga Athina se mbyllja e grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian deri në vitin 2027 është një sfidë e madhe, por e realizueshme.

Pas takimit dypalësh me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis, në një konferencë për shtyp, Spiropali tha se bisedimet u zhvilluan nga sensi i nevojës dhe përgjegjësisë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Duke e cilësuar integrimin evropian si objektiv kombëtar dhe shoqëror, kushtetues dhe shpirtëror, Spiropali u shpreh se “nënkupton mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në vitin 2027, një sfidë e madhe, por e realizueshme dhe e dakordësuar”.

Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në këtë proces. “Mbështetje që ka qenë dhe do të mbetet shumë e rëndësishme për ne”, theksoi ministrja.

Spiropali informoi se gjatë këtij takimi ka marrë rikonfirmin nga pala e Greqisë për vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje “deri në përfundimin e bisedimeve teknike të anëtarësimit të Shqipërisë që përkon edhe me Presidencën e ardhshme të Greqisë në BE në gjysmën e dytë të vitit 2027”.

Ministrja shqiptare, duke i cituar fjalët e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, e cilësoi vizitën e saj si vizitë te një fqinj i formuar nga ndjesa e bukurisë, filozofia, miti dhe ideja e demokracisë, një trashëgimi që na lidh dhe na frymëzon reciprokisht.

Teksa theksoi se dy popujt bashkëjetojnë ndër shekuj, Spiropali tha se, “edhe sot që flasim marrëdhënia jonë e ngritur mbi lidhje historikisht të thella, njerëzisht të pandashme dhe gjeografikisht të patundshme zhvillohet mbi ura vlerash dhe interesash të përbashkëta ku minoriteti grek dhe bashkëkombasit tanë që jetojnë dhe punojnë në Greqi”.

“Bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve tona mbështet sot edhe në dy shtylla të fuqishme, e sotmja e përbashkët në aleancën e Atlantikut të veriut dhe e nesërmja e përbashkët në Bashkimin Evropian”, shtoi ministrja.

Kryediplomatja shprehu dëshirën gjithashtu për ta thelluar “dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertizës teknike në përgatitje për një Presidencë sa më produktive.

“Ne presim që Greqia ta përdorë peshën e saj politike për ta avancuar idenë e një hapësire të përbashkët evropiane, ku rajoni të trajtohet si një tërësi strategjike, në respekt dhe të meritave të gjithsecilit”, tha Spiropali.

Ajo kërkoi gjithashtu nga pala greke thellim dhe diversifikim të bashkëpunimit ekonomik.

“Greqia si fuqi rajonale ekonomike, mbetet një partner shume i rëndësishëm për Shqipërinë. Treguesit e tregtisë dhe investimeve e vendosin Greqinë në krye të listës së partnerëve tanë kryesorë, por jemi të gatshëm për ta çuar në nivel tjetër këtë bashkëpunim”, u shpreh ministrja.

“Shqipëria është vendi ideal për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme greke, por dhe për të mëdhatë”, u shpreh ministrja, ndaj shtoi ajo, “në një klimë miqësore, mikpritëse, lehtësuese, me burime njerëzore që mirëkuptohen në gjuhë, kulturë dhe traditë, ne duhet të kemi ambicien e përbashkët që ta tejkalojmë rregullisht vitin më të mirë të investimeve greke në vendin tonë dhe në importet dhe eksportet e përbashkëta. Kemi potencial të madh ende të pashfrytëzuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”.

“Edhe nesër në takimin me përfaqësues të biznesit grek, do të bëj thirrje, ashtu si dhe prej kësaj foltoreje, për rritjen e investimeve direkte në Shqipëri, si dhe për ta thelluar dhe diversifikuar bashkëpunimin ekonomik”, tha Spiropali.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Greqi.