Presidenti amerikan Donald Trump tha se Irani “bërtet gjatë gjithë kohës” gjatë negociatave me Uashingtonin, duke shtuar se Teherani është i etur për të nënshkruar një marrëveshje.
Në një intervistë për revistën amerikane Fortune, të publikuar të hënën, Trumpi komentoi negociatat në vazhdim mes ShBA-së dhe Iranit.
“Ata bërtasin gjatë gjithë kohës”, tha ai për Iranin. “Mund t’ju them një gjë, ata po vdesin për të nënshkruar (një marrëveshje). Por bëjnë një marrëveshje dhe më pas të dërgojnë një dokument që nuk ka asnjë lidhje me marrëveshjen që u bë. U them: ‘A jeni të çmendur?’”
Sipas intervistës, Trumpi e paraqiti gjithashtu udhëheqjen iraniane si një “rival kokëfortë biznesi”.
Tensionet janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit në muajin shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit, si dhe ndaj aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Armëpushimi hyri në fuqi më 8 prill me ndërmjetësimin e Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin një marrëveshje afatgjatë. Trumpi më vonë e zgjati armëpushimin pa afat të përcaktuar.
















