| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
SPAK, mbi 300 mln euro pasuri të sekuestruara nga viti 2020, krijuar nga pastrimi i parave
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri, Altin Dumani theksoi se SPAK ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara.
SPAK, mbi 300 mln euro pasuri të sekuestruara nga viti 2020, krijuar nga pastrimi i parave
SPAK, mbi 300 mln euro pasuri të sekuestruara nga viti 2020, krijuar nga pastrimi i parave / ATSh
6 Nëntor 2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri, Altin Dumani bëri të ditur se vlera e pasurive të krijuara përmes pastrimit të parave që janë konfiskuar dhe sekuestruar arrin mbi 300 milionë euro.

Dumani theksoi se SPAK ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara.

“Sa i takon pastrimit të parave, Prokuroria e Posaçme ka rritur numrin e procedimeve penale të regjistruam numrin e të pandehurve, të gjykuarve, ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara. Që nga viti 2020 deri në vitin 2024 vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, ishte 230 milionë euro, sot mund të kemi kaluar mbi 300 milionë euro. Ta krahasosh me vendet e rajonit nuk gjen këtë nivel konfiskimesh dhe sekuestrimesh si SPAK. Në hetimet tona e kemi bërë prezent që po kemi konstatuar që paratë e pista janë investuar në turizëm”, theksoi Dumani gjatë një interviste në media.

Ndër të tjera, Dumani hodhi poshtë me pretendimet për kërcënime ndaj prokurorit i cili po ndjek çështjen për ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.

Ai shtoi se prokurori Dritan Premçi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim për ndonjë kërcënim të mundshëm në adresë të tij, duke theksuar se prokurorët janë të pavarur dhe zot të çështjeve të tyre.

“Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhen për kërcënim të prokurori të çështjes nga ana ime. Prokurori Premçi ka të gjithë mbështetjen time. Kam kontakte të shpeshta me të”, tha Dumani.

Sipas Dumanit, pavarësia e prokurorëve të posaçëm si nga drejtuesit e prokurorisë, ashtu edhe nga faktorët e jashtëm, është gjëja më e mirë që ka ndodhur për prokurorinë.

“Vlerësoj se duhet ruajtur kjo pavarësi ndaj institucionit të prokurorisë. Aktualisht kjo pavarësi është e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe nga ligjet e tjera. Të ruhet, pasi kontribuon në pasjen e ndjekjes penale, si dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo pavarësi shoqërohet edhe me llogaridhënie”, tha ai.

I pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Erion Veliajn, Dumani tha se nuk ndikon aspak hetimet e SPAK-ut.

“Gjykata Kushtetuese ka pasur objekt tjetër për shqyrtim vendimin për shkarkimin dhe dekretin e presidentit. Nuk ka asnjë lidhje me çështjen që po ndjekim penalisht dhe nuk ka asnjë ndikim në hetimet tona apo edhe në masën e sigurisë që rëndon ndaj zotit Veliaj. Nuk dua të futem në detaje është gjykata ajo që vendos që nëse vazhdojnë të ekzistojnë kriteret e caktimit të masës së sigurisë, kritere që përcaktohen nga Kodi i Procedurës Penale”, deklaroi Dumani.

Kreu i SPAK-ut theksoi më tej se ka një rënie të ndjeshme të referimeve nga Policia e Shtetit.

“Kam konstatuar një realitet, që ka të bëjë me rënien e numrit të referimit nga Policia e Shtetit, me 40 për qind, dhe kjo është pasqyruar edhe në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend.

Policia e Shtetit është një institucion që ka të paktën mbi 10 mijë punonjës të cilët janë në terren, në kontakt me qytetarët dhe mund të rrisnin numrin e kallëzimeve në Prokurorinë e Posaçme”, theksoi Dumani.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë