Erdoğani shpreh ngushëllimet pas sulmit vdekjeprurës në një shkollë në jug të vendit

Autoritetet kanë nisur hetimeet për sulmin e armatosur që la 9 të vdekur dhe 13 të plagosur në një shkollë në provincën Kahramanmaraş.

By
Erdoğani shpreh ngushëllimet pas sulmit vdekjeprurës në një shkollë në jug të vendit / AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, të mërkurën shprehu ngushëllimet dhe urimet e tij për të prekurit nga sulmi me armë në një shkollë në provincën Kahramanmaraş, një sulm që ai tha se “e ka tronditur thellë Türkiyen, veçanërisht fëmijët tanë të dashur”.

Në llogarinë e tij në NSosyal, Erdoğan shkroi: “Fatkeqësisht, në këtë sulm tragjik, humbëm fëmijët tanë të ndritur dhe një edukator të përkushtuar. I lutem Zotit të Madhëruar që t’i mëshirojë ata që humbëm”.

Sipas ministrit të Brendshëm të Türkiyes, Mustafa Çiftçi, një sulm vdekjeprurës në një shkollë të mesme në Kahramanmaraş la nëntë persona të vdekur dhe 13 të tjerë të plagosur, gjashtë prej tyre në gjendje kritike.

Presidenti gjithashtu tha se prokurorët publikë, së bashku me administratën civile dhe inspektorët e arsimit, po kryejnë me kujdes hetimin e nisur menjëherë pas incidentit, duke shtuar se rasti do të sqarohet plotësisht në të gjitha aspektet e tij.

Mukerrem Ünlüer, guvernatori i Kahramanmaraşit, tha se sulmi u krye nga një nxënës i klasës së tetë në Shkollën e Mesme Ayşer Çalık, për arsye ende të panjohura.

Nxënësi kishte sjellë armë zjarri në një çantë shpine dhe hapi zjarr pa dallim pasi hyri në dy klasa, tha Ünlüer, duke shtuar se të plagosurit po i nënshtrohen operacioneve dhe besohet se janë në gjendje kritike.

I dyshuari për sulmin gjithashtu vdiq, tha ai, duke theksuar se mbetet e paqartë nëse ai qëlloi veten me qëllim apo u vra gjatë kaosit.

Guvernatori tha se armët mund t’i përkisnin babait të të dyshuarit, një ish-oficer policie. Nxënësi thuhet se kishte mbërritur në shkollë me pesë armë zjarri dhe shtatë karikatorë.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit gjithashtu tha në X se ishte thellësisht e tronditur nga sulmet në shkolla në “vendin vëlla Türkiye”, duke shprehur solidaritet me Türkiyen dhe duke dërguar ngushëllime për familjet e viktimave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu publikoi një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, duke thënë se ishte thellësisht i tronditur nga tragjedia në shkollë dhe shprehu ngushëllime për presidentin Erdoğan dhe familjet e viktimave, ndërsa uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ambasadori i ShBA-së në Türkiye dhe i dërguari special për Sirinë, Tom Barrack, në X shprehu ngushëllime për sulmet.

“ShBA-ja është thellësisht e tronditur nga sulmet e armatosura në shkolla në Şanlıurfa dhe Kahramanmaraş që kanë marrë jetën e nxënësve të pafajshëm dhe një mësuesi, ndërsa kanë plagosur shumë të tjerë”, tha Barrack.

“Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet dhe të dashurit e atyre që humbën jetën dhe urojmë shërim të plotë dhe të shpejtë për të gjithë të plagosurit. Mendimet tona janë me gjithë popullin turk ndërsa vajton këto akte të pakuptimta dhune”, shtoi ai.